Një tjetër paraqitje pozitive për talentin shqiptar Alen Vukaj, i cili ka lënë gjurmën e tij në UEFA Youth League me fanellën e Interit U19.
Sulmuesi shkodran ishte protagonist në fitoren 2-0 të zikaltërve ndaj Shakhtar Donetsk U19, duke realizuar golin e parë të takimit.
18-vjeçari tregoi instinkt dhe guxim, duke përfituar nga dalja e gabuar e portierit kundërshtar. Vukaj e vuri re portën të pambrojtur dhe nga një distancë e konsiderueshme dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë. Një moment që dëshmoi qetësinë dhe besimin e tij në fushë.
Sulmuesi nga Shkodra është gjithashtu pjesë e Kombëtares U19 të Shqipërisë, ndërsa vazhdon të zhvillohet në një prej akademive më të njohura të futbollit europian.
Paraqitje të tilla përforcojnë shpresat për të ardhmen e tij, teksa Vukaj kërkon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësira dhe të bëjë hapa të rëndësishëm drejt futbollit profesionist.






