Kurbin/Finalizohet operacioni i koduar “Blindi”
Arrestohet 35-vjeçari që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe qarkullonte me automjet të blinduar.
Në pranga edhe pasagjeri, pasi posedonte lëndë të dyshuar narkotike.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, një jelek antiplumb, një armë e ftohtë (shpatë), automjeti i blinduar dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale për Hetimin, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Blindi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit Elson Picaku, 35 vjeç, dhe dhe Zef Kolndreu, 31 vjeç, të dy banues në Laç.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë në qytetin e Laçit, duke lëvizur me një automjet luksoz të blinduar, tip “BMW”, që drejtohej nga shtetasi E. P.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi E. P. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasit Z. K., pasagjer në automjet, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjetën një jelek antiplumb dhe një armë e ftohtë (shpatë).
Automjeti i blinduar, që dyshohet se është përfituar nga të ardhura me burime të dyshimta, lënda narkotike, sendet e kundërligjshme dhe 3 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive të kundërligjshme të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.






