Forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional për projekte të përbashkëta në turizëm, trashëgimi dhe mjedis
Në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitetin “Radical Green – Art for Earth”, u zhvillua një takim mes Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Edmond Ndou, dhe Kryetarit të Bashkisë së Caltagirone, z. Fabio Roccuzzo, i cili njëkohësisht ushtron edhe funksionin e Drejtorit të Focus Europe në Itali, si dhe zv. kryetar i shoqatës kombëtare për bashkitë.
Takimi u zhvillua në një frymë miqësie dhe bashkëpunimi institucional dhe u fokusua në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Bashkisë së Caltagirone, me synim krijimin e partneriteteve të reja dhe konkretizimin e bashkëpunimit në kuadër të programeve dhe thirrjeve të ndryshme evropiane.
Gjatë takimit u diskutua veçanërisht për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e turizmit të qëndrueshëm, trashëgimisë kulturore dhe natyrore, mbrojtjes së mjedisit, tranzicionit të gjelbër dhe përfshirjes së të rinjve, fusha që përbëjnë prioritete të rëndësishme për të dyja territoret.
Në këtë kuadër, u vlerësua si një mundësi konkrete për bashkëpunim edhe përvoja e përbashkët në kuadër të nismës “Radical Green – Art for Earth”, ku Këshilli i Qarkut Shkodër është partner i asociuar mbështetës, duke kontribuar në promovimin e lidhjes ndërmjet artit, kulturës, të rinjve dhe ndërgjegjësimit mjedisor.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i diskutimit ishte HERIT-CARE, një projekt-propozim në përgatitje në kuadër të Horizon Europe – Mission on Adaptation to Climate Change, i cili synon të zhvillojë mjete dhe metodologji për identifikimin e hershëm të ndikimeve të ndryshimeve klimatike mbi trashëgiminë kulturore, natyrore dhe peizazhore.
Në këtë kuadër, u diskutua mundësia që eksperiencat dhe kapacitetet e institucioneve të Shkodrës dhe Caltagirones të ndërthuren në iniciativa të ardhshme evropiane, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe përdorimit të zgjidhjeve digjitale për monitorimin dhe mbrojtjen e territorit.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Edmond Ndou, theksoi rëndësinë e kalimit nga marrëdhëniet institucionale në bashkëpunime konkrete dhe të orientuara drejt rezultateve, përmes përgatitjes së përbashkët të aplikimeve në programet evropiane.
Nga ana e tij, z. Fabio Roccuzzo shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe konkretizuar këtë bashkëpunim, duke vënë në dispozicion edhe eksperiencën e Focus Europe në identifikimin e mundësive të financimit dhe ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Në përfundim të takimit u dakordësua që puna konkrete për identifikimin e thirrjeve, përgatitjen e ideve të përbashkëta dhe ndërtimin e partneriteteve për aplikime të ardhshme të nisë menjëherë, duke synuar krijimin e një agjende të përbashkët bashkëpunimi Shkodër–Caltagirone.
Ky bashkëpunim synon të shtrihet edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, duke e kthyer marrëdhënien ndërmjet dy institucioneve në një platformë konkrete për projekte evropiane, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të qëndrueshëm territorial.






