Ballina Aktualitet “Mirënjohje” për mjekun Hamza Vneshta / Kreu i Këshillit të qarkut Shkodër...

“Mirënjohje” për mjekun Hamza Vneshta / Kreu i Këshillit të qarkut Shkodër Edmond Ndou vlerëson mjekun në prag të ditëlindjes

Më shumë se gjashtë dekada në shërbim të mjekësisë dhe pacientëve. Dr. Hamza Vneshta është vlerësuar me titullin “Mirënjohje” nga kreu i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou. Vlerësimi u dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të gjatë në mjekësi dhe veçanërisht për shërbimin ndaj komunitetit shkodran.

“Sot kam një kënaqësi dhe një përgjegjësi të veçantë: të nderoj me vlerësimin “Mirënjohje” një personalitet të spikatur të mjekësisë shkodrane, një mjek që ia kushtoi jetën profesionit, pacientit dhe shërbimit ndaj komunitetit, Dr. Hamza Malo Vneshta. Më shumë se gjashtë dekada më parë, një mjek i ri u nis drejt Dukagjinit për t’u shërbyer njerëzve në një nga zonat më të thella e më të vështira të vendit. Pa rrugë, pa drita dhe me largësi të mëdha nga një fshat në tjetrin, ai zgjodhi të ishte aty ku njerëzit kishin më shumë nevojë për mjekun. Më pas, në Spitalin e Shkodrës, si kirurg, drejtues dhe specialist i djegie-plastikës, Dr. Vneshta i kushtoi jetën e tij shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Por madhështia e një mjeku nuk matet vetëm me vitet e shërbimit apo me detyrat që ka mbajtur. Ajo matet me njerëzit që ka ndihmuar, me jetët që ka prekur dhe me gjurmën që ka lënë pas. Edhe pas daljes në pension, Dr. Vneshta vazhdoi të ishte pranë spitalit dhe pranë kolegëve sa herë që përvoja e tij ishte e nevojshme. Një moment tjetër që dëshmon përkushtimin e mjekëve të asaj kohe ishte tërmeti i vitit 1979. Në një ditë pushimi, personeli shëndetësor iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë, duke u përballur me një situatë tragjike ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 350 të tjerë u shtruan në spital. Edhe në periudha të vështira shoqërore, si trazirat e vitit 1997, mjekët dhe personeli shëndetësor i Shkodrës vazhduan të kryejnë detyrën e tyre me ndërgjegje dhe profesionalizëm. Sot, kur nderojmë Dr. Hamza Malo Vneshtën, nderojmë edhe një brez të tërë mjekësh dhe punonjësish të shëndetësisë që punuan në kushte shumë më të vështira se ato që kemi sot. Faleminderit, Doktor! Faleminderit që na jep sot mundësinë të kujtojmë se përtej çdo aparature, çdo protokolli dhe çdo teknologjie, zemra e mjekësisë mbetet njeriu. Ky vlerësim “Mirënjohje” është simbolik, sepse kontributi juaj është shumë më i madh se një certifikatë apo një titull. Ai është pjesë e kujtesës së mjekësisë shkodrane”.

Emocionues ky moment është edhe për familjarët e doktor Hamzas, pasi ky vlerësim vjen pak ditë përpara ditëlindjes së tij të 90-të. Kolegët e cilësojnë Dr. Vneshtën si një mjek të përkushtuar, i cili e ka parë profesionin jo thjesht si një detyrë, por si një mision në shërbim të njerëzve. Edhe pas daljes në pension, ai vijoi të qëndronte pranë spitalit dhe kolegëve, duke vënë në dispozicion përvojën e tij shumëvjeçare. Mirënjohja për Dr. Hamza Vneshtën është njëkohësisht mirënjohje për një brez mjekësh që i shërbeu Shkodrës në kushte të vështira, duke lënë pas një trashëgimi profesionale dhe njerëzore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks