Vllaznia kërkon reagimin në kampionat pas vetëm dy pikëve të grumbulluara në tri javët e para. Në prag të transfertës ndaj Laçit, mbrojtësi Erdenis Gurishta ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, por thekson se skuadra shkodrane duhet të marrë përgjegjësitë dhe të synojë vetëm fitoren. Gurishta e konsideron duelin me Laçin një sfidë të vështirë, duke theksuar se kurbinasit janë veçanërisht të fortë në fushën e tyre. Megjithatë, mbrojtësi i Vllaznisë kërkon mentalitet fitues nga skuadra.
“Padiskutim që ndaj Laçit është një sfidë shumë e vështirë, duke pasur parasysh që edhe Laçi vjen pas humbjes në shtëpi me Durrësin, ne vijmë pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.
E dimë që Laçi është një ekip shumë i fortë sidomos në shtëpinë e vetë. Ne do bëjmë çmos që të tentojmë maksimumin.
Dy pikë në 3 ndeshje janë shumë pak për Vllazninë. Duke pasur parasysh se dy ndeshje kemi pasur në shtëpi dhe një jashtë. Po të bëjmë një analizë profesionale, unë mendoj se kemi merituar më tepër.
Nuk ka vlerë as ajo që unë mendoj as ajo që ka kaluar. Vlerë kanë pikët, renditja. Duhet të reagojmë. Duhet të marrim përgjegjësitë. Mundësitë janë, ekipi është. Duke filluar nga nesër duhet të tentojmë maksimumin, pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Duke pasur parasysh që shumë lojtarë na janë larguar, në të gjitha repartet. Nuk është e lehtë të luash me lojtarë që luajnë për herë të parë bashkë. Duan kohën e vetë, për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Kemi nxjerrë gabime nga ndeshjet e kaluara. Do mundohemi t’i eliminojmë gabimet të jemi më të përqëndruar në momentet vendimtare. Shpresoj të mos përsërisim më gabimet.
Ndeshjet në Laç gjithmonë kanë qenë të dyluftuara. Këtë sezon meritojnë vlerësim maksimal, janë djem të rinj që kanë dëshirë të luftojnë. Kanë edhe një trajner shumë të mirë si Qatim Osmani. Ne e vlerësojmë Laçin, do të shkojmë vetëm për maksimumin e pikëve.
Vjet të gjithë e kemi pranuar që kemi pasur një super ekip. Shkuan si shkuan gjërat e humbëm kampionatin në fund. E humbëm kampionatin në “Final 4”. Pastaj shumë lojtarë u larguan. Sot do të ishte ndryshe po të ishim kampion. Ndoshta shumë lojtarë do të kishin qëndruar. Janë larguar shumë lojtarë, nuk është e lehtë, duhan kohë lojtarët e rinj të përshtaten. Është herët, do e tregojë koha ku e meriton Vllaznia të shkojë. Duke pasur parasysh lojën, unë mendoj se Vllaznia është në rritje nga java e parë në të tretën.
Me Elbasanin dhe Partizanin meritonim më shumë. Gabuam në momentet vendimtare të lojës. Ajo që të ngroh është loja që është në rritje. Unë mendoj që edhe pikët do të vijnë.
Vllaznia gjithmonë futet me objektiva madhorë. Vetë emri i Vllaznisë ka objektiva madhorë. Është shumë herët të flasim për objektiv të qartë. Vllaznia gjithmonë synon trofe, por do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Shpresojmë që fitoret të vijnë, sepse ato ngrohin.
Jam i sigurt që do të jetë ndeshje shumë e fortë. Duhet të futemi me mentalitet fitues. Po menduam gabimet e ndeshjeve të kaluara do futemi në presion.
Presion në futboll ka, por duhet të shërbejë për motivim dhe përgjegjësi. Po bëmë ato që stafi teknik kërkon, jam i sigurt që marrim 3 pikë.
Jam mirë, në fillim ishte e nevojshme vendosja e maskës, tani jam i gatshëm 100 %. Nuk dua të krijoj polemika, por besoj se e kanë parë të gjithë qartë, një moment i ndeshjes ndryshoj gjithçka.
Më vjen mirë që Egnatia është në grupet e Ligës së Konferencës sepse ja rrit vlerat dhe kampionatit shqiptar. Por, nga ai bërryl, mendoj se do të ishte Vllaznia ose Elbasani kampione e Shqipërisë. Ai bërryl ndryshoi gjithçka, ai bërryl na la me pasoja dhe e shpalli Egnatian kampione.
Siç gabojmë ne futbollistat, mendoj se edhe arbitrat gabojnë herë pas herë. Tani që është dhe VAR-i gabimet duhet të jenë më të pakta. Nëse arbitri në fushë gabon, atëhere VAR-i përse shërben?
Arbitrat në VAR janë të ulur në karrige, e shikojnë më qartë e shikojnë përsëritje, gabimet duhet të jenë pothuajse 0.
Në qoftë se arbitri në fushë Enea Jorgji, nuk e shikon qartë dhe mund t’i ikë ndonjë bërryl dhe jep karton të verdhë, mendoj se arbitri në VAR duhet ta japi patjetër të kuqe.
Ashtu ndodhi në Elbasan. Nuk e kuptoj pse arbitri në VAR, mund ta anulojë atë gol. Duhet të jemi më të përgjegjshëm te pjesa e arbitrat, është mundi i gjithë lojtarëve. Gjërat akumulohen, lojtarët nuk janë të qetë, shfaqen problematika të tjera.
Ne duhet të jemi të qetë, nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ato që kanë kaluar. Gabojmë shumë, do fusim presion te çdo lojtar. Nuk mundtesh të japësh maksimumin ashtu. Duhet të jemi më të përgjegjshëm si ne si arbitrat. Kush ta meritojë ta fitojë. Kur ka ardhur Egnatia në Shkodër ka fituar 4 me 0 gjithë stadiumi e ka duartrokit. Vitin e kaluar mendoj se ekipi më i mirë kemi qenë ne dhe Elbasani.
Erdhi Egnatia rastësisht në “Final 4″, e dorëzuar, u fut në lojë sepse ne gabuam me Dinamon. Ne ishim me një këmbë në greminë, ndeshjen me Egnatian edhe pjesa e arbitrave ne hodhi me 2 këmbë në greminë. Egnatia u fut në luftën për titull.
Egnatia vitin e kaluar 4 ndeshje që ka luajtur me ne asnjë nuk ka fituar. Katër ndeshje që ka luajtur me Elbasanin asnjë nuk ka fituar. Egnatia ishte e dorëzuar te pjesa e titullit kampion.
U fut për titullin kampion, sepse ne gabuam me Dinamon, ishte gabimi jonë. Ishte i pafalshëm ai gabim. Pak me gabime tona, pak me pjesën e arbitrave, Egnatia doli kampion. Unë iu uroj më të mirat, ata janë në grupe, e kanë rritur vlerën e kampionatit. Dua të them që një moment ndryshon gjithçka.
Ne jemi në kontakt për ditë me Elseid Hysajn, është një djalë i shkëlqyer. I uroj më të mirën, është duke u stërvitur me ne për një periudhë jo të vogël. Ai po pret disa lëvizje nga jashtë. Me sa kam informacion dhe komunikim, besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohet jashtë. Ai ka mundësi që të luajë në nivele të larta. S’besoj se do të jetë diçka për në Shqipëri.
Më vjen keq, sepse ka shumë vite që Vllaznia lufton për titullin kampion. Për mua është viti i 12-të që jam te Vllaznia. Dua të realizoj ëndrrën që të dal kampion me skuadrën time. Me ekipin ku u rrita, ku dola si futbollist. Më vjen keq që kemi shkuar kaq afër dhe nuk e kemi marrë titullin. Kur vjen çështje vendimtare, duhet të jemi më të përgjegjshëm si ne si arbitrat. T’i japin hakun atij që e meriton.
Në vitin e parë që Egnatia doli kampion ndeshja mbaroi 0 me 0 dhe si pasojë Egnatia kaloi në finale.
Në vitin e dytë kur Egnatia na mposhti në finale 4 me 0, pas ndeshjes s’kemi pasur gojë të flisnim për arbitrimin. 4 me 0 ta mbyll gojë, por në qoftë se e shikojmë ndeshjen përsëritje shikojmë që ka qenë një gjyqtar polak, ndeshja ishte 1 me 0 dhe nuk na ka dhënë një penallti 100 % të sigurt. Unë mund t’iu nxjerri videon. Në qoftë se nga 10 dy specialistë të arbitrimit deklarojnë që nuk është penallti unë që nesër e le futbollin.
Ndeshja do të shkonte 1 me 1 do kishte rrjedhë tjetër. Përsëri vitin tjetër me Egnatian në gjysmëfinale, do ishim ne në finale me Elbasanin, do e merrnim ne ose Elbasani. Si rrjedhojë e gabimit të arbitrave, Egantia përfitoi dhe doli kampione. Ishim afër, duhet të vazhdojmë të besojmë. Herët a vonë, Vllaznia do e marrë atë që meriton. Është shumë për Vllazninë të jetë gjithë këto vite pa një titull kampion. Vllaznia në këto vitet e fundit e ka merituar të dalë kampion. Ishim shumë afër. Unë shpresoj që shumë shpejt Vllaznia ta marrë titullin kampion.
Tifozeria në Shkodër është shumë e ndjeshme. Janë të varur prej rezultateve, ndoshta i kemi mërzitur. Me të drejtë mund të jenë mërzitur me ne. Gjithmonë pa thirrjen time, ata kanë qenë mbështjetje. E di që presin më shumë prej nesh. Do të japim maksimumin në çdo ndeshje, për këto ngjyra”, u shpreh Gurishta.






