shënohen 10 vite nga një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e figurës së Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku drejtoi Meshën e Shenjtërimit të murgeshës shqiptare, duke e shpallur atë Shën Tereza e Kalkutës. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Jubileut të Mëshirës dhe mblodhi mbi 120 mijë besimtarë nga e gjithë bota, mes tyre edhe shumë shqiptarë. Një ditë më pas, më 5 shtator, u zhvillua ceremonia e regjistrimit të saj në Kalendarin e Përgjithshëm Romak. Data përkon edhe me ditën e vdekjes së Nënë Terezës, më 5 shtator 1997.
Procesi i shenjtërimit u bazua në njohjen e dy mrekullive të atribuuara ndërmjetësimit të saj pas vdekjes. Përpara shenjtërimit, Nënë Tereza ishte lumturuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003, pas njohjes së mrekullisë së parë.
E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, Nënë Tereza iu përkushtua jetës fetare që në moshë të re dhe në vitin 1929 nisi misionin e saj në Indi. Në vitin 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë, e cila u shndërrua në një prej organizatave më të njohura të shërbimit ndaj njerëzve në nevojë në mbarë botën.
Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Nënë Tereza kërkoi që paratë e çmimit të përdoreshin për të ndihmuar të varfrit.
Figura e saj mbetet e lidhur ngushtë edhe me Shqipërinë. Pas rënies së komunizmit, Nënë Tereza vizitoi vendin e origjinës së familjes së saj dhe hapi shtëpi të Misionareve të Bamirësisë, duke nisur një mision që vijon edhe sot.
Arkivi fotografik i Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruan disa prej momenteve më të veçanta të këtyre vizitave. Në fotografi dokumentohen mbërritja e saj në aeroportin e Rinasit, takimet me fëmijë e besimtarë, vizitat në institucione fetare dhe hapja e shtëpisë së bamirësisë në Tiranë.
Nënë Tereza kishte vizituar Shqipërinë edhe në vitin 1989, ndërsa në vitin 1993 u takua me Papa Gjon Palin II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.
Në nder të saj, 5 shtatori është shpallur edhe Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në Shqipëri, kjo datë zëvendësoi 19 shtatorin, Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, si festë zyrtare.
Dhjetë vite pas shenjtërimit, Nënë Tereza vijon të mbetet një prej figurave shqiptare më të njohura në botë dhe një simbol i përkushtimit, mëshirës dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.
Ajo u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.






