Parlamenti rikthehet në shtator me një axhendë që pritet të prodhojë përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Në qendër të debatit janë dy reforma që prekin drejtpërdrejt zgjedhjet e ardhshme: ajo administrativo-territoriale dhe reforma zgjedhore.
E para duhet të përcaktojë hartën me të cilën vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Por PS dhe PD janë larg njëra-tjetrës për formulën.
Mazhoranca propozon reduktimin e 61 bashkive aktuale në 46, ndërsa demokratët kërkojnë një hartë me mbi 100 bashki.
Drafti socialist është ende në fazën e konsultimit publik dhe ka shkaktuar kundërshtime e protesta në disa bashki, ndërsa debati pritet të zhvendoset në Kuvend gjatë vjeshtës.
Po aq e fortë pritet përplasja për reformën zgjedhore, për të cilën PS dhe PD kanë rënë dakord të zgjasin mandatin e komisionit të posaçëm, ndërsa në tryezën e tij janë disa çështje që lidhen me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
PD pritet të përdorë interpelancat dhe mekanizmat e kontrollit parlamentar për të shtuar presionin ndaj qeverisë.
Ndërkohë, të dyja partitë kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri politik.
Rama mblodhi fillimisht ministrat dhe drejtuesit politikë në Pogradec, ndërsa më pas kaloi te strukturat e PS-së. “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania” janë vendosur në qendër të organizimit të socialistëve dhe të punës së tyre në terren.
Para rikthimit në Kuvend, socialistët pritet të mbledhin edhe Asamblenë Kombëtare, forum nga i cili Rama në të kaluarën ka shpallur ndryshime si në parti, ashtu edhe në qeveri.
Në krahun tjetër, Sali Berisha ka prezantuar një strategji të re për ripërtëritjen e PD-së, me fokus forcimin e strukturave, komunikimin nga qendra në bazë dhe përfshirjen më të madhe të anëtarësisë.
Në horizont janë ndërkohë zgjedhjet vendore të vitit 2027, datën e të cilave do ta caktojë Presidenti i Republikës.
Dhe ndërsa politika përgatitet për betejën e re në Kuvend, në bulevard vijon prej më shumë se tre muajsh protesta qytetare, e cila në disa raste ka vënë në shënjestër edhe ligjvënësit/ oranews






