Deputeti i opozitës, Kliti Hoti, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po investohen 87 mijë euro për informacionin turistik në Shkodër. Në një reagim publik, Hoti kritikon ndërtimin e një pike fizike informacioni dhe kërkon më shumë investime në teknologji dhe shërbime digjitale.
Sstatusi i plote:
87 MIJË EURO: NË BETON APO NË TURIZMIN DIGJITAL
Në vitin 2026, kur turizmi lëviz me teknologjinë, telefonin, hartat digjitale dhe inteligjencën artificiale, a është vërtet zgjidhja për Shkodrën ndërtimi i një zyre me katër mure për të shpërndarë kryesisht harta dhe broshura letre?
Çfarë po ndërtohet me 87 mijë euro?
A ka nevojë Shkodra për një tjetër “Info Point” fizik?
Apo ka ardhur koha që informacioni turistik i Shkodrës të hyjë më në fund në vitin 2026?
A është normale që të investojmë në beton, ndërkohë që infrastruktura digjitale e turizmit mbetet pothuajse inekzistente?
Dhe pyetja tjetër është edhe më konkrete:
Pse në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, te seksioni i turizmit, kalendari i aktiviteteve është BOSH?
Çfarë informacioni merr sot një turist që kërkon online çfarë mund të bëjë në Shkodër?
Ku i gjen guidat, itineraret, monumentet, muzetë, shtigjet, informacionin për transportin apo sigurinë?
Dhe pse një turist që ndodhet në Shirokë, Zogaj, Velipojë apo Theth duhet të vijë fizikisht në qendër të Shkodrës për të pyetur në një zyrë se çfarë mund të vizitojë?
A nuk duhet të jetë informacioni ai që shkon te turisti dhe jo turisti që kërkon informacionin?
A nuk do të ishte më mirë që Shkodra të kishte një Digital Tourist Info Point, të aksesueshëm 24 orë në ditë dhe nga çdo vend?
A nuk duhet të kemi një website dhe aplikacion modern, shumëgjuhësh, ku Shkodra nga Liqeni dhe Buna deri në Alpe të jetë në telefonin e çdo vizitori?
A nuk duhet të kemi QR Code në monumente, pika turistike dhe shtigje, ku me një skanim turisti të marrë hartën, historinë, itinerarin, guidën dhe informacionin e sigurisë?
A nuk duhet të ndërtojmë një rrjet digjital të guidave të licencuara, bujtinave, hoteleve, restoranteve dhe sipërmarrjeve lokale, duke i lidhur drejtpërdrejt me turistin?
A nuk duhet të investojmë më shumë në orientimin dhe sigurinë e turistëve në terren, siç bëhet në destinacionet moderne europiane?
Dhe në fund:
A duam të ndërtojmë thjesht një Info Point, apo duam të ndërtojmë një sistem modern informacioni turistik për gjithë Shkodrën?
Nuk jam kundër një qendre informacioni.
Jam kundër idesë që në vitin 2026 modernizimi i turizmit të vazhdojë të matet me metra katrorë beton dhe fasada, ndërkohë që turisti i sotëm e kërkon destinacionin në telefon.
Turizmi i sotëm lëviz me ritmin e teknologjisë, jo me ritmin e burokracisë.
Po ju çfarë mendoni?
Nëse Shkodra do të kishte 87 mijë euro për informacionin turistik, ku do t’i investonit: në një zyrë fizike apo në një sistem digjital që mbulon gjithë territorin?






