Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Fast”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër.
Lokalizohet, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi një 32-vjeçar nga Malësia e Madhe, për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”.
Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara operacionale, në fshatin Kosan u bë i mundur lokalizimi, identifikimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Franko Broqi, 32 vjeç, banues në fshatin Kosan, Malësi e Madhe.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila, Itali, i ka nxjerrë urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.






