Nga Dede Abazi
Shikojeni mirë këtë fotografi!
Mos e kaloni si një fotografi të zakonshme të një dite gushti.
Në njërën anë është Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë: njerëz të mbledhur në gëzim, të rritur dhe fëmijë që marrin pagëzimin, familje që luten, meshtarë që bekojnë, fytyra që qeshin. Është një pamje e jetës, e besimit, e lirisë.
Në anën tjetër, në fushat e Vushtrrisë, në të njëjtën ditë, shfaqet një tjetër pamje: njerëz të prishur në fytyra – që protestojnë kundër ndërtimit të një kishe katolike.
Dy pamje – njëjta Kosovë – e njëjta ditë.
Njëra thotë: “Le të jetojë njeriu i lirë dhe le ta adhurojë Zotin sipas ndërgjegjes së vet.”
Tjetra thotë: “Mos ndërto këtu.”
Dhe këtu duhet të ndalemi.
Sepse më 18 gusht, në ditën kur Kisha përkujton Shën Florin dhe Shën Laurin, martirët e Dardanisë, të lidhur me Ulpianën pranë Prishtinës, ne përballemi me një paradoks të dhimbshëm të kohës sonë. Ata u përkujtuan si dëshmitarë të një besimi që dikur përndiqej.
Sot, në Kosovën e lirë, ne duhet të pyesim: A kemi mësuar diçka nga historia? Apo kemi harruar se çfarë do të thotë liri?
Sepse liria nuk është vetëm të kesh flamur. Liria nuk është vetëm të kesh shtet. Liria nuk është vetëm të mund të flasësh kur flet shumica. Liria matet pikërisht atëherë kur tjetri beson ndryshe nga ti.
Nëse unë jam mysliman dhe ti je katolik, liria ime nuk zvogëlohet sepse ti ndërton një kishë.
Nëse unë jam katolik dhe ti je mysliman, besimi yt nuk më kërcënon mua.
Nëse unë besoj në Zot dhe ti nuk beson, as ti nuk ma merr lirinë mua dhe as unë nuk ta marr ty. Kjo është liria. Dhe kjo nuk është vetëm çështje tolerance. Është çështje kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështjet fetare. Ajo garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë dhe të drejtën për ta manifestuar atë. Ligji për Lirinë Fetare garanton, ndër të tjera, lirinë e adhurimit, tubimit dhe krijimit e mirëmbajtjes së vendeve të adhurimit.
Prandaj, liria fetare nuk varet nga disponimi i turmës, nga thirrjet e një grupi, nga bindja e një politikani apo nga dëshira e një komuniteti për ta penguar tjetrin.
Ajo varet nga Kushtetuta dhe ligji.
Dhe këtu shteti duhet të jetë shtet.
Jo spektator.
Jo arbitër i besimeve.
Jo shërbëtor i shumicës kundër pakicës.
Por mbrojtës i së drejtës.
Nëse dikush nuk dëshiron të hyjë në kishë, askush nuk e detyron. Por nëse një qytetar katolik dëshiron të ndërtojë një kishë në përputhje me ligjin, askush nuk ka të drejtë t’i thotë: “Ti nuk ke të drejtë të ekzistosh këtu.”
Dhe nëse ka çështje pronësore, urbanistike, arkeologjike apo të tjera ligjore, ato zgjidhen me ligj, dokumente dhe institucione — jo me presion fetar, turma apo frikësim.
Kjo është pikërisht ajo që duhet të kërkojmë nga komuna, policia dhe çdo institucion tjetër shtetëror: transparencë, ligjshmëri dhe barazi.
Sepse shteti që lejon një shumicë të vendosë se çfarë mund të besojë një pakicë, nesër mund ta gjejë veten përballë të njëjtit mekanizëm, por me një shumicë tjetër. Kjo është rruga drejt errësirës.
Ka edhe diçka tjetër që kjo fotografi na e kujton.
Ne shqiptarët shpesh kemi dashur ta paraqesim veten si popull i lashtë i bashkëjetesës, si popull që respekton besimin e tjetrit.
Por toleranca nuk provohet me fjalë. Toleranca provohet kur përballë teje qëndron ai që nuk mendon si ti.
Prandaj nuk duhet të fshihemi pas një miti të bukur për tolerancën tonë.
Historia jonë ka pasur periudha të bashkëjetesës, por ka pasur edhe konflikte, ndarje e intolerancë.
Dhe nëse sot pretendojmë se jemi shoqëri moderne, demokratike dhe evropiane, atëherë duhet ta dëshmojmë këtë me sjellje, jo me deklarata.
Robëria dhe shtypja serbe na kanë mësuar shumë gjëra.
Na kanë mësuar të kërkojmë liri.
Na kanë mësuar të kërkojmë shtet.
Na kanë mësuar të mbrojmë identitetin.
Por tani që e kemi shtetin tonë, duhet të mësojmë edhe diçka tjetër -“të mos e përdorim shtetin për t’ia mohuar lirinë tjetrit.
Sepse çfarë kuptimi do të kishte lufta jonë për liri, nëse pasi e fituam lirinë do t’ia ngushtonim frymën dikujt tjetër?
Ne nuk e ndërtuam Kosovën që të zëvendësojmë një shtypje me një tjetër.bE ndërtuam që njeriu të jetë i lirë. Dhe kjo liri duhet të jetë aq e fortë sa të mbrojë edhe atë që nuk është shumicë.
Sot, fotografia flet më fort se shumë fjalime.
Në Katedrale: dritë.
Në fushë: protestë.
Në njërën anë dëgjohet lutja.
Në tjetrën dëgjohet kundërshtimi dhe mallkimi.
Por Kosova duhet të vendosë se cilën rrugë do ta ndjekë.
Unë e di cilën dua – rrugën e lirisë dhe së drejtës.
Sepse askush nuk do të na bindë se një Kosovë e lirë është ajo ku një shqiptar duhet të marrë leje nga turma për të besuar në Zotin e tij.
Askush nuk do të na bindë se ndërtimi i një kishe është kërcënim për një shtet.
Dhe askush nuk do t’ua mbyllë shqiptarëve derën e besimit.
Asnjë ekstremizëm fetar nuk mund të jetë kushtetutë.
Asnjë turmë nuk mund të jetë ligj.
Asnjë pushtet nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën.
Nëse dikush mendon se duke penguar një kishë po e mbron Kosovën, gabon rëndë. Kosovën e mbron ligji. Kosovën e mbron liria. Kosovën e mbron toleranca e vërtetë. Kosovën e mbron shteti që është i barabartë për të gjithë. Dhe mbi të gjitha: Kosovën nuk e bëjnë më të fortë ata që ia mohojnë lirinë tjetrit.
Kosovën e bëjnë më të fortë ata që janë aq të sigurt në lirinë e tyre, saqë nuk kanë frikë nga liria e tjetrit.
Flori dhe Lauri, martirët e Dardanisë, u kujtuan sot – pas gati dy mijë vjetësh, pyetja nuk është më vetëm se si vdiqën ata për besimin e tyre. Pyetja është:
Çfarë kemi mësuar ne nga sakrifica e tyre?
Sepse një Kosovë që i lejon shqiptarit të besojë, të lutet, të pagëzohet dhe të ndërtojë kishën e tij sipas ligjit, nuk është më pak shqiptare – por është krejt shqiptare.
Është më e lirë.
Është më e fortë.
Është më evropiane.
Dhe është më shumë Kosovë.
Kjo fotografi le të mbetet dëshmi, jo vetëm e asaj që jemi sot. Por edhe e asaj që nuk duhet të lejojmë kurrë të bëhemi.






