Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili tha se dakordësia është arritur gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha. Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, tha Gjuriç. Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri serb u shpreh se Serbia ka përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me agjendën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet një interes kombëtar i Beogradit. Sipas tij, pjesa më e madhe e shkëmbimeve ekonomike të Serbisë zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit, ndaj, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të jetë pjesë e proceseve vendimmarrëse evropiane. Gjuriç foli edhe për marrëdhëniet me Çekinë, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm për Serbinë në Evropën Qendrore. Ai tha se gjatë vizitës në Pragë ka zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm çek, Petr Maçenka, i cili, sipas tij, ka deklaruar se njohja e Kosovës nga qeveritë e mëparshme çeke ishte bërë nën presion.
Nderkohë ministri i jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha shkruan:
Deklarimi i Ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri ka ngjallur debat. Shqipëria ka kërkuar hapjen e një #Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e #Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse. Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare. Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet. Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime. Është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e #Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës. Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t’u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër. Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane. Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme.






