Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend nismën ligjore për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon një riorganizim të thellë të pushtetit vendor dhe reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Propozimi është dorëzuar nga deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ndërsa i është përcjellë edhe kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë. Sipas projektligjit, 28 bashki do të bashkohen në 13 njësi të reja vendore. Bashkitë që parashikohet të shkrihen janë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, ndërsa bashkitë e tjera do të riorganizohen sipas hartës së re territoriale. Shkodra nga 5 kalon ne 4 bashki, 7 qytete dhe 33 njesi administrative. Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Risia kryesore e reformës është krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, të quajtur “Qyteti”, duke zëvendësuar skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, niveli i ri i organizimit synon të përmirësojë përfaqësimin dhe administrimin lokal. Qyteti do të ketë kompetenca më të qarta në planifikimin, organizimin e shërbimeve publike dhe përfaqësimin e komunitetit, ndërsa do të drejtohet nga një nënkryetar i bashkisë përgjegjës për koordinimin administrativ. Nëse miratohet nga Kuvendi, reforma do të krijojë një strukturë të re të pushtetit vendor me 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Gjithashtu, 20 nga bashkitë e reja do të kenë në përbërje më shumë se një qytet, me synimin për të përmirësuar organizimin administrativ dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.






