Edoardo Reja shpresonte në një festë por miqësorja me Italinë e tij u kthye në një makth për Kombëtaren Shqiptare, me shumë mundësi në ndeshjen e parafundit në stol.
Nuk pati shumë histori në një takim ku si Shqipëria edhe Italia nuk zbritën në fushën e “Air Albania Stadium” të tejmbushur, me formacione të cunguara.
Reja në njërin krah me zgjedhje të limituara në sulm ndërsa Mancini me sulm eksperimental ku Grifo, sulmuesi i Freiburg u bë protagonist me dy gola që i dhanë drejtim ndeshjes së Italisë.
3-1 në fund të 90 minutave ku ndodhi gjithçka madje edhe përplasje në shkallët e stadiumit mes tifozëve por edhe një dëmtim horror i Tonalit në pjesën e parë por që për fat të mirë, mesfushori i Milanit shpëtoi vetëm me një traumë të lehtë dhe asgjë më shumë.
Pas golit të Ismajlit me kokë, u duk se kjo do të ishte një Shqipëri ndryshe por shumë shpejt u kuptua se ekipi kuqezi do të ishte një fotokopje e skuadrës së muajve të fundit.
Barazimi i Di Lorenzos menjëherë pas rrjetës së Ismajlit, i hapi rrugën Italisë për të shtrirë lojën e saj në gjithë zonën e Shqipërisë duke kontrolluar më pas gjithë takimin ku Shqipëria regjistroi një tjetër humbje duke mos thyer mallkimin Itali pasi ndaj të kaltërve regjistron 4 humbje në po kaq përballje vitet e fundit.
Disfatë që krijoi edhe momente pakënaqësie në shkallët e stadiumit ku ovacionet e vetme ishin ato në rastin e golit por edhe në momentin e hyrjes në fushë të Kristjan Asllanit. Tashmë, Shqipëria duhet të mendojë për miqësoren e fundit të vitit, atë të së shtunës kundër Armenisë po në “Air Albania”.









