Edhe pse i nxehti dhe mungesa e reshjeve kanë përfshirë vendin përgjatë dy muajve të fundit niveli i ujit në Fierzë mbetet mbi mesataren për periudhën e verës.Sipas të dhënave kuota rezulton 292,3 metra mbi nivelin e detit edhe pse ka pësuar një ulje me rreth 4 metra ndërsa prurjet janë 120 metër kub ujë në sekondë. Nëse shohim historikun e nivelit të ujit në Fierzë nga të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare rezulton se janë të rralla nivele të tilla për korrikun duke siguruar prodhim të pandërprerë të energjisë elektrike deri në sezonin e reshjeve të vjeshtës.
Liqeni i Fierzes, për më shumë se dy muaj ruajti të paprekur rezervën ujore dhe kuotën maksimale prej 296 metrash mbi nivelin e detit, një periudhë e pazakontë për periudhën e verës.
Ndërkohë,që Shqipëria po zgjeron burimet alternative të prodhimit të energjisë. Aktualisht, rreth 10% e energjisë elektrike totale për të cilën ka nevojë vendi po prodhohet nga parqet fotovoltaike, ndërsa objektivi është që deri në vitin 2030 më shumë se gjysma e prodhimit të energjisë të vijë nga burimet e rinovueshme. Këto të dhëna janë optimiste në një kohë që ndodhemi në mesin e verës dhe ka rritje të numrit të turistëve të cilët kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të konsumit të energjisë elektrike në vend. Të dhënat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tregojnë se gjatë muajit qershor konsumi u rrit me rreth 13.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit rritja ka qenë rreth 10%.






