Bashkia Shkodër ka njoftuar se duke nisur nga data 10 korrik do të ndryshojë organizimin e qarkullimit në rrugën “Ludovik Saraçi”. Sipas vendimit, në segmentin nga sheshi “Dugajet e Reja” deri te kryqëzimi me rrugën “Marin Beçikemi”, automjetet do të lëvizin në të dy drejtimet, ndërsa parkimi do të ndalohet plotësisht përgjatë gjithë këtij segmenti.
Institucioni e argumenton këtë ndryshim me synimin për të përmirësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë rrugore. Megjithatë, vendimi shton një tjetër problem për drejtuesit e automjeteve në Shkodër, të cilët prej vitesh përballen me mungesën e theksuar të vendeve të parkimit.
Ndërsa Bashkia vijon të heqë edhe rrugët e pakta ku qytetarët mund të linin automjetet, ende nuk ka ofruar alternativa konkrete për krijimin e parkingjeve të reja publike. Në shumë zona të qytetit, gjetja e një vendi parkimi është kthyer në një sfidë të përditshme.
Qytetarët shprehen se çdo vendim i ri kufizon edhe më tej mundësinë për të parkuar, ndërsa investimet për ndërtimin e parkingjeve mungojnë. Në praktikë, ata ndihen të vendosur përballë një situate absurde: makinat duhet të hiqen nga rrugët, por nuk ka vende ku të parkohen.
Sipas njoftimit të Bashkisë, ndalimi i parkimit do të zbatohet sipas sinjalistikës së re që do të vendoset në segmentin përkatës, ndërsa drejtuesve të mjeteve u kërkohet të respektojnë rregullat e reja të qarkullimit.
Njoftim për ndryshim të qarkullimit në rrugën “Ludovik Saraçi”
Duke nisur nga dita e premte, datë 10 korrik, Bashkia Shkodër do të zbatojë një ndryshim në organizimin e qarkullimit në rrugën “Ludovik Saraçi”, me qëllim përmirësimin e lëvizjes së automjeteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Në segmentin nga sheshi “Dugajet e Reja” deri në kryqëzimin me rrugën “Marin Beçikemi”, do të lejohet qarkullimi i automjeteve në të dy drejtimet.
Në të gjithë këtë segment ndalohet parkimi i automjeteve, sipas sinjalistikës së vendosur, për të garantuar qarkullim më të lirë dhe më të sigurt.
Në hartën bashkëlidhur paraqitet segmenti ku do të zbatohen ndryshimet dhe vendosja e sinjalistikës së re.
Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në respektimin e rregullave të reja të qarkullimit






