Dorëheqja e Prof. Dr. Tonin Gjurajt nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur dhe nuk duhet lexuar thjesht si largimi i një rektori. Këtij vendimi i duhet shkuar më thellë në lexim dhe analizim. Është një akt që simbolizon kapitullimin e universitetit përballë politikës. Është prova se, edhe sot, kur flitet për autonomi universitare, mjafton ndërhyrja e pushtetit për ta kthyer një institucion akademik në arenë konfliktesh, presionesh dhe hesapesh politike. Ajo që ndodhi në Universitetin e Shkodrës ka të gjitha elementet e një operacioni të paralajmëruar. Një drejtues me profil të konsoliduar akademik, me eksperiencë të njohur në arsimin e lartë dhe me ambicien për ta nxjerrë universitetin nga stanjacioni, u gjend përballë një fronti rezistence që nuk kishte lidhje me auditorët, kërkimin shkencor apo interesin e studentëve. Ishte një përballje me mekanizmat e pushtetit.
Për vite me radhë, Universiteti i Shkodrës ka qenë viktimë e krizave të brendshme, konflikteve, emërimeve të diskutueshme dhe humbjes graduale të peshës së tij akademike. Në vend që të mbështetej një proces reformimi dhe ringritjeje, u krijua një klimë lufte të përhershme, ku energjitë e institucionit u konsumuan në beteja që nuk kishin asnjë lidhje me misionin universitar.
Në këtë histori, hija e politikës është e pamohueshme. Në vend që Bashkia e Shkodrës dhe Ministria e Arsimit të qëndronin larg autonomisë universitare, perceptimi publik është se u rreshtuan në një lojë që prodhoi destabilizim. Emri i Benet Becit del vazhdimisht në qendër të debatit publik si simbol i një modeli qeverisjeje që kërkon kontroll mbi çdo institucion me peshë në qytet. E bëri këtë dhe me universitetin, kur i serviri emrin e Mark Mollës në prag të pensionit për ta bërë administrator. Megjithe kundërshtitë dhe argumentat e rektorit Gjuraj kundër emrit të tij, Beci dhe partia në pushtet me forcën e kartonit duke përdorur bordin e administrimit, e emëruan Mollën dhe i shtynë madje dhe moshën e pensionit. Ky i fundit me të marrë detyren nuk vonoi të nisë hakmarrjen me levizjet brenda në universitet. Përplasjet me administratorin Mark Molla u kthyen në një konflikt që paralizoi funksionimin normal të universitetit dhe e futi institucionin në një spirale përçarjeje. Aq sa rektori Gjuraj zgjodhi rrugën më të thjeshtë në pamje të parë por e vështirë në finalizim, pas atij vetëofrimi afro 2 vite më parë kur kandidoi, të dorëheqjes. Ikje për hir të universitetit dhe Shkodrës, që mos të njollosej më tej emri i këtij institucioni por edhe i tiji personal.
Pyetja është e drejtpërdrejtë: kujt i interesonte largimi i Tonin Gjurajt?
- Jo studentëve, që kanë nevojë për stabilitet dhe cilësi akademike.
- Jo pedagogëve, që kanë nevojë për një universitet të çliruar nga presionet politike.
- Jo Shkodrës, e cila ka nevojë për një universitet të fortë si motor zhvillimi ekonomik, kulturor dhe intelektual.
Atëherë kujt?
Përgjigjja duket se gjendet te logjika e kontrollit politik. Te ideja se çdo institucion duhet të jetë nën ndikimin e pushtetit. Te bindja e gabuar se universitetet nuk duhet të jenë qendra të mendimit të lirë, por hallka të një zinxhiri administrativ ku vendimet merren diku tjetër.
Më shqetësues është momenti kur ndodh e gjitha kjo. Pikërisht në prag të një viti të ri akademik. Pikërisht në një kohë kur universitetet shqiptare po përballen me rënie të numrit të studentëve, me emigrimin e të rinjve dhe me konkurrencën gjithnjë e më të fortë të universiteteve jashtë vendit. Në vend që energjitë të përqendroheshin te programet e studimit, te cilësia e mësimdhënies dhe te tërheqja e studentëve, Universiteti i Shkodrës u zhyt sërish në konflikt.
Ky është dëmi më i madh. Humbja nuk është personale. Humbja është institucionale.
Kur largohet një rektor, mund të zëvendësohet.
Kur dëmtohet besimi te universiteti, pasojat zgjasin me vite. Dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e atyre që luajtën me fatin e këtij institucioni. Sepse universiteti nuk është pronë e asnjë partie, e asnjë kryebashkiaku dhe e asnjë ministri. Universiteti është pasuri publike dhe duhet të mbrohet nga çdo tentativë për kapje politike. Nëse e gjithë kjo ishte bërë për t’i hapur rrugë një emri të vjetër, një figure në pension apo një kandidature të preferuar nga qendrat e pushtetit, atëherë skandali bëhet edhe më i rëndë. Do të thotë se nuk u rrëzua një rektor për shkak të rezultateve, por u hap një gropë artificiale për t’u mbushur me një zgjidhje të paracaktuar. Shkodra meriton më shumë se kaq.
Universiteti i saj meriton më shumë se kaq.
Dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje të qarta: kush fitoi nga largimi i Tonin Gjurajt? Kush e donte universitetin në krizë? Kush përfitoi nga një përplasje që dëmtoi imazhin, stabilitetin dhe të ardhmen e institucionit?
Sepse një gjë është e sigurt: humbësi i madh nuk është Tonin Gjuraj. Humbi Universiteti i Shkodrës. Humbi autonomia universitare. Humbi ideja se arsimi i lartë duhet të jetë i lirë nga duart e politikës. Dhe kjo është një humbje që nuk mund të fshihet pas deklaratave zyrtare apo






