Vllaznia e atletikës ka hyrë zyrtarisht në histori. Ekipi i meshkujve i klubit kuqeblu është shpallur kampion i Shqipërisë për vitin 2026, duke fituar titullin e 30-të në historinë e tij dhe duke vendosur një rekord të ri kombëtar. Me këtë sukses, shkodranët lënë pas Partizanin, që mbante deri tani rekordin me 29 tituj kampionë.
Ky triumf është fryt i një pune të gjatë, të organizuar dhe sistematike nga sportistët dhe stafi teknik i ekipit. Një rol të rëndësishëm në këtë arritje kanë pasur trajnerët Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahja, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e dominimit të Vllaznisë në atletikën shqiptare.
Edhe dita e dytë e Kampionatit Kombëtar, e zhvilluar në Elbasan, solli rezultate të shkëlqyera për atletët kuqeblu. Në garën e 200 metrave, Franko Burraj u shpall kampion me kohën 21”13, vetëm pak larg rekordit kombëtar të kësaj disipline. Në të njëjtën garë, Leandro Çardaku siguroi vendin e tretë.
Një tjetër paraqitje mbresëlënëse erdhi nga Durjan Idrizaj, i cili triumfoi në garën 400 metra me pengesa me kohën 56”78, duke fituar titullin e dytë kampion në këtë kampionat. Ndërkohë, talenti i ri Sidrit Kopliku vazhdoi serinë e sukseseve, duke fituar medaljen e artë edhe në 1500 metra, pas triumfit të mëparshëm në 800 metra.
Dominimi i Vllaznisë u konfirmua edhe në kërcimin trehapësh, ku Kolindo Kiri u shpall kampion. Podiumi u plotësua nga dy atletë të tjerë kuqeblu, Mario Cepi dhe Elizeo Spathari, të renditur respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Në konkurrimin e femrave, Erisa Rrasa fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Imer Kajoshaj u rendit i treti në garën e 10 mijë metrave.
Pas përfundimit të garave dyditore, Vllaznia grumbulloi gjithsej 167 pikë, duke siguruar bindshëm titullin kampion për vitin 2026. Pas saj u renditën Skënderbeu në vendin e dytë dhe Teuta në vendin e tretë.
Me 30 tituj kampionë në histori, Vllaznia konfirmon statusin e saj si ekipi më i suksesshëm i atletikës shqiptare. Një dominim që zgjat prej dekadash dhe që premton të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, me synimin për të vendosur rekorde dhe standarde të reja në sportin shqiptar.





