Futbolli kosovar dhe shqiptar është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit të ri Fation Fatmir Bunjaku. 22-vjeçari, i cili kishte qenë pjesë e Kosovës U-21 dhe kishte luajtur për disa skuadra kosovare, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në aksin Prishtinë-Mitrovicë. Lajmi i hidhur u bë i ditur nga faqja e fshatit Samadraxhë, e cila njoftoi ndarjen nga jeta të të riut. “Njoftojmë me pikëllim se mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fation Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Bunjaku konsiderohej një nga futbollistët e talentuar të brezit të tij, ndërsa gjatë karrierës ishte aktiv në disa klube të futbollit kosovar ndërsa së fundmi luante për Elbasanin. Ai kishte veshur edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës U-21. Ndarja e tij e parakohshme ka tronditur komunitetin sportiv në Shqipëri dhe Kosovë, me shumë mesazhe ngushëllimi që kanë vërshuar në rrjetet sociale nga klube, tifozë dhe figura të futbollit. Familjes Bunjaku, të afërmve dhe miqve të tij u shprehen ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.
Vetëm pak ditë më parë, 22-vjeçari kishte ndarë me ndjekësit e tij një mesazh plot optimizëm dhe krenari pas përfundimit të sezonit me fanellën verdheblu. Në postimin e tij të fundit në rrjetet sociale, Bunjaku falënderonte tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehte entuziazmin për sfidat që e prisnin në arenën europiane.
“Faleminderit për këtë super mbështetje tifozat verdheblu. Do të takohemi së shpejti edhe në arenën europiane”, ishte mesazhi që sot merr një kuptim shumë më të dhimbshëm për familjarët, miqtë, bashkëlojtarët dhe tifozët.
Sulmuesi iu bashkua Elbasanit gjatë verës së kaluar dhe u bë pjesë e një sezoni të suksesshëm, ku skuadra siguroi pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Paralelisht, ai kishte qenë pjesë edhe e përfaqësueses së Kosovës U-21, duke u konsideruar një nga futbollistët premtues të brezit të tij.
Gjatë karrierës së tij, Bunjaku kishte veshur fanellat e disa klubeve në Kosovë, mes tyre Malisheva, Gjilani, Liria dhe Trepça, duke ndërtuar hap pas hapi rrugën drejt afirmimit në futbollin profesionist.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Fatjon Bunjakut ka shkaktuar reagime të shumta dhe dhimbje të madhe në komunitetin sportiv. Postimi i tij i fundit, ku fliste për rikthimin në fushë dhe emocionet e Europës, mbetet tashmë një kujtim prekës i një ëndrre që u ndërpre tragjikisht.






