Komisioni i Posaçëm në Policinë e Shtetit, i ngritur për të vlerësuar kandidaturat që janë në garë për drejtor në qarqet Fier, Durrës, Lezhë dhe Kukës, pas intervistimit, përmbylli procesin e pikëzimit, duke bërë renditjen nga më i mirë te drejtuesi me më pak pikë.
I pari i renditur është Adriatik Tafçiu, aktualisht me pozicion këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në vijim renditen Ervin Hodaj, aktualisht i komanduar në Durrës, pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 2 të mitur dhe largimit të Afrim Tafës. I treti renditet drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, i komanduar pak ditë më parë, pas skandalit të shkarkimit të Elidon Çelës, me rastin e mosndërhyrjes së policisë në protestën në Zvërnec.
Më tej renditen ish-drejtori i Dibrës, Artion Duka, dhe drejtori aktual i komanduar në Fier, Erion Ahmeti. Në garë janë edhe drejtues të tjerë, si Alket Shatro, Ermal Muçaj, Gjovalin Loka, Hergis Jica. Lisata mbyllet me Alfred Nomanin. Emërimet pritet të bëhen në fillim të javës së ardhshme nga kryepolici Skënder Hita.






