KF Vllaznia ka vendosur të vijojë bashkëpunimin me trajnerin Edi Martini, duke i besuar atij drejtimin e skuadrës edhe për dy sezonet e ardhshme. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kuqeblu përmes një njoftimi zyrtar. Vendimi vjen në një moment kur Vllaznia mbylli sezonin pa arritur objektivin madhor të fitimit të titullit kampion dhe pas një paraqitjeje që nuk përmbushi pritshmëritë në fazën “Final 4”. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë vlerësuar punën e bërë nga Martini dhe kanë zgjedhur të ndërtojnë vazhdimësinë e projektit sportiv me të në krye të pankinës.
“KF Vllaznia dëshiron të njoftojë se ka arritur akordin me trajnerin Edi Martini për të qenë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët edhe për dy sezonet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e klubit.
Rinovimi i kontratës tregon besimin që drejtuesit kanë ndaj teknikut shkodran, i cili tashmë do të ketë mundësinë të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri, me synimin për të rikthyer Vllazninë në garën për trofetë dhe për të përmbushur pritshmëritë e tifozërisë kuqeblu. Pas konfirmimit të trajnerit, pritet që në ditët në vijim klubi të nisë punën për përforcimin e organikës dhe përcaktimin e objektivave për sezonin e ardhshëm, ku synimi kryesor mbetet rikthimi te suksesi në futbollin shqiptar.






