Ballina Analiza dhe Komente Tre ditë panair libri, zero vëmendje nga Bashkia Shkodër/ Për Benet Becin...

Tre ditë panair libri, zero vëmendje nga Bashkia Shkodër/ Për Benet Becin propaganda vlen më shumë se kultura e dija!

Screenshot

Për tre ditë me radhë, Shkodra ishte mikpritëse e edicionit të dytë të Panairit të Librit “Libri të bën të lirë”, një nga aktivitetet e pakta që promovojnë dijen, kulturën dhe leximin në një kohë kur këto vlera kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje institucionale. Por, ndërsa autorë, botues nga trojet shqipfolëse dhe qytetarë te shumtë shkodranë u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje, mungesa më e turpshme dhe e pakuptueshme, ishte ajo e Bashkisë Shkodër dhe e vetë kryebashkiakut Benet Beci. Asnjë vizitë. Asnjë mesazh përshëndetës. Asnjë reagim publik. As edhe dy rreshta në faqet zyrtare të Bashkisë për një aktivitet që zgjati tre ditë dhe që kishte në qendër librin, dijen dhe edukimin. Një heshtje që nuk mund të justifikohet me mungesë kohe, por që duket më shumë si mungesë prioritetesh.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shikon se faqja zyrtare e Bashkisë është çdo ditë aktive për të promovuar pothuajse çdo aktivitet, takim apo event që mund të shërbejë për marketing politik. Për ngjarje rutinë gjenden fotografë, postime, video dhe deklarata. Për panairin e librit, asgjë. Sikur të mos kishte ndodhur fare në qytetin që administrojnë. Kjo sjellje është tregues i një mentaliteti shqetësues, ku kultura dhe libri trajtohen si dekor pa rëndësi, ndërsa energjia institucionale përqendrohet te aktivitetet që prodhojnë më shumë propagandë dhe më pak përmbajtje. Nëse një panair libri nuk meriton vëmendjen e Bashkisë së Shkodrës, atëherë lind pyetja: çfarë vendi zë kultura në vizionin e saj për qytetin? Më e pakta që pritej ishte prania simbolike e kryebashkiakut dhe një mbështetje morale për organizatorët. Më e drejta do të ishte që Bashkia të ishte partnere, financuese dhe promotore kryesore e një aktiviteti që nxit leximin dhe edukimin. Sepse investimi te libri nuk është favor për organizatorët, por detyrim ndaj qytetit dhe brezave që po rriten. Shkodra është quajtur ndër vite kryeqendra e kulturës shqiptare. Por titujt nuk mbahen me slogane dhe postime në rrjete sociale. Ato mbahen me mbështetje konkrete për kulturën. Dhe kur një panair libri kalon pa u vënë re nga institucioni më i rëndësishëm vendor, mesazhi që përcillet është i qartë: për Bashkinë, propaganda duket se ka më shumë vlerë se libri./newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks