Vllaznia në futboll për femra vazhdon të shkruajë historinë, duke bërë atë që di më mirë: të fitojë dhe të shpallet kampione e Shqipërisë. Pasditen e sotme, skuadra kuqeblu triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Apolonisë në finalen e kampionatit, duke siguruar kështu titullin e 13-të radhazi.
Finalja e këtij sezoni u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë dhe u dominua pothuajse plotësisht nga vajzat shkodrane, të cilat treguan edhe një herë forcën dhe cilësinë e tyre në futbollin shqiptar.
Vllaznia gjeti rrugën e rrjetës nga një herë në secilën pjesë loje. Fillimisht ishte kapitenia Megi Doçi që zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Teresa Deda vulosi fitoren me golin e dytë. Kjo e fundit realizoi edhe një tjetër gol në minutat e fundit të takimit, por ai u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.
Pas përfundimit të ndeshjes u zhvillua ceremonia e ndarjes së medaljeve për ekipin kampion. Trofeu iu dorëzua kapitenes Megi Doçi nga zëvendëspresidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, moment që u pasua nga festa e madhe në kampin shkodran.
Ky është një titull mëse i merituar për futbollistet kuqeblu, për stafin teknik të drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, si dhe veçanërisht për presidentin Lazer Matija, “arkitektin” e sukseseve të njëpasnjëshme të Vllaznisë në futbollin e femrave.






