Ballina Kronike Zbulim i rrezikshëm në Shpellën e Pëllumbave, eksploruesit hasin granatë të pashpërthyer...

Zbulim i rrezikshëm në Shpellën e Pëllumbave, eksploruesit hasin granatë të pashpërthyer në Malësi të Madhe

Një ekspeditë e Shoqatës Shqiptare të Shpellave në fshatin Egç të Malësisë së Madhe është shoqëruar me një zbulim të rrezikshëm dhe të papritur. Gjatë eksplorimit në Shpellën e Pëllumbave, grupi hasi në një granatë të vjetër të pashpërthyer, e cila ndodhej në afërsi të zonës ku po lëviznin anëtarët e ekspeditës.

Eksploruesit kanë treguar kujdes të menjëhershëm sapo konstatuan praninë e mjetit shpërthyes. Fillimisht ata dokumentuan vendin dhe objektin përmes fotografive, ndërsa më pas u larguan nga zona për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Pas ngjarjes, drejtuesi i Shoqatës Shqiptare të Shpellave, Roland Doja, ka njoftuar strukturat përgjegjëse, të cilat pritet të ndërhyjnë për sigurimin e zonës dhe largimin e granatës. Burime lokale bëjnë me dije se në vendngjarje do të mbërrijë një ekip xhenierësh nga Tirana, i specializuar në neutralizimin e mjeteve të pashpërthyera.

Sipas të dhënave paraprake, objekti dyshohet të ketë qëndruar prej shumë vitesh në atë territor dhe u zbulua krejt rastësisht gjatë kësaj ekspedite speleologjike. Banorët e zonës shprehen se edhe në vende të tjera malore të Malësisë së Madhe mund të ketë ende armatime të mbetura prej dekadash.

Fenomeni bëhet edhe më shqetësues gjatë verës, kur zjarret në pyje shpesh shoqërohen me shpërthime të forta, të cilat mendohet se shkaktohen nga municione të vjetra të braktisura në këto zona malore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks