Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” i ka akorduar titullin “Honoris Causa”, një personaliteti të shquar të albanologjisë, mike e Shkodrës, Luçia Nadin. Titulli iu dorëzua nga rektori i universitetit, Tonin Gjuraj, i cili vlerësoi punën shumëvjeçare të studiueses italiane në promovimin e historisë dhe kulturës shqiptare që prej fillimit të viteve ’90.
Për vetë Lucia Nadin, kjo mirënjohje nga shqiptarët eshte një emocion i veçantë,e aq më shumë nga Shkodra, qyteti që ajo shprehet se ka një lidhje shpirtërore.“Dua te falenderoj rektorin,universitetin,koleget, qytetin e Shkodres qe gjithmone ka qene ne fokus te studimeve te mia ne keto 30 vite. Edhe kete pak kohe qe me ka mbetur per te punuar, ky qytet do te jete ne prioritetin tim pasi Shkodra eshte jo vetem pjese e studimeve te mia, por edhe pjese e jetes time. Eshte nje qyteterim qe ka lidhje te forta me Italine dhe Shkodren e gjen kudo ne Itali qe pas vdekjes se Gjergj Kastriotit. Sot, gjurmet tuaja gjenden nga Jugu ne Veri, ne cdo detaj te jetes sociale, kulturore, fetare e ekonomike te Italise, sidomos ne Venecia.”
Ndër kontributet më të rëndësishme të Nadin është botimi i “Statuteve të Shkodrës”, dokument i rrallë i historisë mesjetare shqiptare, të cilin ajo arriti ta zbulojë në Bibliotekën e Muzeut të Venecias dhe ta sjellë në dritë për studiuesit. Po ashtu, Nadin ka studiuar emigrimin shqiptar në Venecia gjatë shekujve XV-XVI, luftrat e Skënderbeut, si dhe historinë e klerikëve katolikë shqiptarë në Republikën e Venecias. Në vitin 2010 Nadin ka marrë edhe titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.






