Sot, më 20 maj, administratori i Universitetit të Shkodrës Mark Molla ka mbushur zyrtarisht moshën e pensionit. Por në vend që institucioni të respektonte ligjin dhe standardet minimale të transparencës, dy ditë më parë, në një mbledhje me dyer të mbyllura, Bordi i Administrimit ka votuar për shtyrjen me një vit të daljes së tij në pension. Paradoksi dhe skandali thellohen nga fakti se vendimi ende nuk është zbardhur publikisht, duke ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe motivet reale të këtij akti. Burime pranë universitetit bëjnë me dije se të 7 anëtarët e Bordit kanë votuar pro shtyrjes së pensionit të administratorit Molla, ndërsa vetë ky i fundit mësohet se kishte kërkuar jo një, por plot 5 vite shtyrje, duke u justifikuar me mandatin pesëvjeçar të Bordit të Administrimit. Një tjetër absurditet institucional lidhet me kryetarin e Bordit, Adrian Leka, i cili më herët kishte votuar kundër zgjedhjes së Mollës si administrator, ndërsa tani bashkon votën me të njëjtët anëtarë për ta mbajtur në detyrë përtej moshës ligjore të pensionit. Nga ana tjetër, rektori Tonin Gjuraj raportohet të ketë qenë kategorikisht kundër këtij vendimi, ndërkohë që vetë Bordi ende nuk ia ka vënë në dispozicion dokumentin zyrtar. Heshtja dhe mungesa e transparencës vetëm sa forcojnë bindjen se ky vendim nuk mbështetet në asnjë bazë të qartë ligjore. Por skandali nuk mbaron këtu. I njëjti Bord ka rrëzuar edhe raportin e Grupit të Punës të ngritur nga Ministria e Arsimit për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të rekrutimit të stafit administrativ për vitin 2025. Raporti kërkonte anulimin e Vendimit nr. 215, datë 15.07.2025, pasi ai konsiderohet në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015 dhe, si i tillë, nul dhe pa pasoja juridike. Edhe më alarmues është fakti se katër përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në Bord, votuan kundër rekomandimeve të vetë Ministrisë që përfaqësojnë. Një sjellje që ngre pikëpyetje të forta mbi përgjegjshmërinë institucionale dhe ndikimet politike në universitet.
Në vend të zbatimit të ligjit dhe garantimit të meritokracisë, Universiteti i Shkodrës po zhytet gjithnjë e më shumë në vendime të errëta, pazare të brendshme dhe mbrojtje klienteliste. Nëse vendimi për shtyrjen e pensionit është marrë në kundërshtim me ligjin, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me një precedent të rrezikshëm institucional, por me një sfidë të hapur ndaj çdo standardi ligjor dhe etik në arsimin e lartë publik. Kujtojmë që më herët sapo kanë mbushur moshën e pensionit, janë larguar nga auditoret pedagog dhe emra të njohur të arsimit shqiptar, pikërisht në respektim të ligjit dhe hapjes rrugë për të rinjtë. Ndërkohë bordi me veprime absurde mban në detyrë një administrator të pensionuar, për hir të kujt? Cili është përfitimi që Mark Molla do ti sjellë universitetit dhe rritjes akademike, apo pas kësaj lëvizje fshihet hija e zgjedhjeve vendore të 2027-es!/newspower.al






