Ballina Sport Një tjetër Italian në krye të Kombëtares Shqiptare, Rolando Maran nis aventurën...

Një tjetër Italian në krye të Kombëtares Shqiptare, Rolando Maran nis aventurën kuqezi! Presidenti Duka: Jam i bindur që është zgjedhja e duhur!

Rolando Maran është zyrtarisht trajneri i ri Kombëtares shqiptare. Përmes një konference për media, paraditen e kësaj të marte, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka prezantoi trajnerin e ri të ekipit tonë kombëtar, z. Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë për 1 vit e gjysmë me FSHF-në.

Ndihmësi i tij në stolin kuqezi do të jetë, Christian Maraner, i cili gjithashtu ka firmosur kontratën e tij me FSHF.

Presidenti Duka sqaroi edhe detajet e arritura me trajnerin e ri të ekipit kombëtar, duke nënvizuar se objektivi është vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi i skuadrës në finalet e Europianit 2028.

Kreu i FSHF-së falenderoi në mënyrë të veçantë ish-stafin e ekipit kombëtar, me në krye Silvinjon, për të gjithë arritjet dhe sukseset në krye të kombëtares shqiptare.

“Mirë se keni ardhur sot në këtë ditë të rëndësishme për ekipin kombëtar dhe FSHF-në, në të cilën ne do të bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të ekipit kombëtar, z. Rolando Maran. Në të njëjtën kohë ne mbyllim një cikël me ish-trajnerin e ekipit kombëtar, z. Silvinjo dhe stafin e tij, të cilët dua t’i falënderoj në emër të FSHF-së, emrin tim dhe të gjithë tifozëve për kontributin që kanë dhënë Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta gjatë kësaj periudhe për Kombëtaren shqiptare, për rezultatet e arritura. Bashkë kemi kaluar një periudhë të rëndësishme, me shumë emocione, kemi qeshur e qarë, kemi gëzuar bashkë.

Është pjesë e historisë edhe personale, edhe e të gjithë futbollit shqiptar. Silvinjo dhe stafi i tij, por në futboll mund të konsiderohet normale që mbyllet një cikël apo edhe fillon një cikël i ri. Me një mirëkuptim të plotë dhe një respekt reciprok, me Silvion, Dorin dhe Zabaletën kemi menduar dhe kemi rënë në konsensus që ky cikël duhet mbyllur për të hapur një cikël të ri. Me një trajner jo të ri në moshë, por me një trajner me shumë eksperiencë, siç është z. Rolando Maran.

Objektivat – Ekipi kombëtar e ka vendosur stekën e vet, apo nivelin aty ku ne dëshirojmë. Objektivat mbeten vendi i parë në Nations League, kualifikimi në EURO 2028 dhe më pas për të vazhduar me objektivin e paarritur ndonjëherë për të qenë pjesë e Botërorit 2030. Nuk dua të zgjatem, dua të falënderoj Silvion, Dorin dhe Pablo Zabaletën për bashkëpunimin dhe kontributin në Kombëtaren shqiptare.

T’i uroj suksese trajnerit Roland Maran me ekipin kombëtar. Unë nuk bëra CV-në e z. Maran sepse është një emër i njohur i futbollit europian, ka një eksperiencë 25-vjeçare në fushën e trajnimit, duke trajnuar skuadra të rëndësishme në Serinë A dhe B italiane. Jam shumë i bindur që do të bëjmë mirë në Nations League dhe kualifikuese”, – tha Presidenti Duka në fjalën e tij gjatë prezantimit të trajnerit të ri të kombëtares shqiptare.

Më tej, edhe trajneri i ri i ekipit tonë kombëtar, Rolando Maran u shpreh shumë i lumtur për detyrën e re dhe falënderoi Presidentin Duka për besimin, ndërsa komplimentoi edhe ish-trajnerin Silvinjo për të gjithë punën e bërë me kuqezinjtë përgjatë këtyre viteve.

“Dua të falënderoj Presidentin që më dha këtë mundësi. Dua të falënderoj Silvinjon për fjalët, dhe komplimente për atë që ka bërë në këto vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe për këtë keni të gjitha komplimentet e mia. Rikthehem te falënderimi për presidentin sepse po më jep mundësinë për të trajnuar një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Duke qenë afër shtëpisë tuaj, është diçka që ndihet, sa herë flet me një tifoz shqiptar.

Është një krenari e madhe për mua dhe premtimi është që ta transmetojmë të gjithë dashurinë tuaj për fanellën në fushë, duke dhënë gjithçka nga vetja ime dhe duke i kërkuar të gjithëve që do punojnë me mua nga stafi im, lojtarëve dhe të gjithëve atyre që do punojmë së bashku këtu në FSHF.

Për mua është një impenjim që po ndërmarr, emocionohem pak është diçka që e ndjej brenda, është shumë e fortë që po ndjej për këtë mision. Ajo që dua të them është kjo, të transmetojmë në fushë, atë që përfaqësoni, të gjithë tifozët dhe kombi”, – tha trajneri i ri i kombëtares, Rolando Maran.

Më poshtë, pyetje-përgjigjet e konferencës për media të plota të Presidentit Duka dhe trajnerit Rolando Maran:

 

Presidenti Duka

Trajneri Silvinjo nuk kishte më dëshirë për ta vazhduar këtë punë, apo kishte diferenca financiare? – Siç e kam thënë në kontaktin publik edhe më përpara e kemi filluar diskutimin me Silvinjon që të nesërmen e ndeshjes ndaj Ukrainës, pikërisht me atë pyetje që ju thatë nëse keni më energji dhe dëshirë.

Silvinjo mori kohën e tij dhe të dy bashkë në diskutime që nga ajo ditë dhe deri më sot arritëm në këtë konkluzion të përbashkët, që përfundimi i një cikli për të dy palët do të ishte më i mirë dhe rifillimi i një cikli të ri, me energji të re, eksperiencë të re për ekipin Kombëtar. Ndahemi në mënyrën më të mirë, me respekt maksimal njerëzor për njëri – tjetrin, por edhe me respketin për punën e kryer dhe rezultatet.

Pse Maran dhe a donit shumë kohë për të vendosur? – Kam bindjen e plotë që kemi bërë zgjidhjen e duhur. Kemi zgjedhur profilin e duhur për ekipin Kombëtar në momentin dhe kohën e duhur. Duke pasur parasysh eksperiencën e tij në trajnim, siç e thashë prej më shumë se 25 vitesh me ekipe dhe kultura të ndryshme nacionale italiane, në Serinë A dhe në ekipe të tjera.

Duke pasur parasysh këtë eksperincën, këtë profil, këtë kulturë sporitive të Roland Maran, jam shumë i bindur që kemi bërë zgjidhjen e duhur. Kam besimin e plotë që do ta ndihmoj ekipin Komnbëtar për të ecur përpara, për të performuar më mirë dhe për të pasur rezultatin e merituar.

President, rikthehemi te shkolla italiane e trajnerëve, është një lloj preference, apo besueshmërie? – Nuk është vetëm besimi, padyshim shkolla italiane e futbollit është shumë e mirë. Trajnerët italian kanë bërë sukses jo vetëm brenda Italisë, por edhe jashtë. Besimi në shkollën italiane është në nivele maksimale. Fakti që kemi vendosur trajner z. Roland Maran është edhe arsyeja që pjesën më të mirë të futbollistëve sot dhe ata që janë të perspektivës i kemi në Itali dhe është më afër nga pikëpamja sportive dhe kulturore.

Është kjo një nga arsyet pse është ky profil dhe nga ky vend. Sa i përket nivelit, njerëzit nuk krahasohen. Mbase më shumë eksperiencë nga emrat që përmende ka pasur vetëm Edi Reja dhe pas tij është Maran. Suksesin në futboll nuk varet vetëm nga eksperienca por edhe nga ekipi, ambienti e përkushtimi. Jam i sigurt duke parë dëshirën dhe qasjen e trajnerit kur ka pranuar këtë përgjegjësi, me të cilën e ka pranuar këtë detyrë. Jam shumë i sigurt që do të ketë përkushtimin maksimal. Do të gjejë një ambient fantastik administrativ, mediatik dhe të tifozerisë shqiptare. Të gjitha këto do të ndikojnë që ta mbështesin punën e tij për të arritur më shumë suksese.

President, çfarë note do t’i vendosnit Silvinjos për të gjithë punën e tij në krye të Kombëtares? – Absolutisht nuk kam ndryshuar asgjë nga ato që kam thënë për Silvinjon dhe stafin e tij, për përkushtimin dhe seriozitetin me të cilën ka punuar gjatë kësaj periudhe në drejtim të ekipit Kombëtar. Askush nuk është perfekt dhe as Silvinjo nuk është perfekt. Vlerësime pozitive për të afër maksimales për gjithçka ka bërë dhe për rezultatet e arritura. Në drejtimin e Silvinjos në dy kualifikuese, Shqipëria u rendit e para dhe një herë e dyta në grup, edhe pse në Play-Off nuk arritëm të shkonim më tej.

A keni pasur alternativa të tjera para se të vendosnit për Maran? Cilat janë kushtet dhe objektivi konkret që i keni vendosur trajnerit Maran? – Pa dyshim që kjo nuk është një zgjedhje emocionale, nuk është as zgjedhje e çastit, por është një zgjedhje e menduar dhe e konsultuar me stafin teknik të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke pasur parasysh gjendjen e ekipit dhe atë që ka nevojë ekipi sot. Kemi biseduar me disa kandidatë. Padyshim që ka pasur alternativa, të cilat nuk besoj se është etike t’i bëj publike tani.

Edhe trajneri Maran është në dijeni që ne kemi pasur disa alternativa dhe kemi bërë këtë zgjedhje duke menduar se kjo është zgjedhja më e mirë. Kontrata nuk është e vështirë, është e thjeshtë. Realisht, firmën e kemi hedhur vetëm 30 minuta më parë. Trajneri tha se e kam firmosur pa e lexuar fare, shpresoj të mos kemi probleme me këtë. Me këto objektiva që unë i përmenda, për të qenë në vend të parë në Nations League dhe për t’u kualifikuar në Euro 2028, kontrata është deri në atë kohë.

A ndikoi aspekti financiar në zgjedhjen e trajnerit të ri? – Kriteri parësor është se si mund t’i shërbejmë më mirë ekipit Kombëtar, por pa dyshim që do të ruhen balancat ekonomike me ato sportive, kushtet etj. Jam i bindur se edhe po të kishim më shumë para, nuk do të bënim zgjedhje më të mirë.

 

Trajneri Rolando Maran

Cila do të jetë filozofia jote në Kombëtaren shqiptare? – Mua më pëlqen të kem skuadër agresive, duhet të tregojmë që jemi të fortë në fushë.

ADN-ja ime është kjo dhe dua të transmetoj këtë gjë. Kam pyetur shumë herë, është diçka që nuk e fsheh duke marrë parasysh që do të drejtoj këtë Kombëtare, nuk është njësoj si të trajnosh një klub, ka një ndjenjë përkatësie.

Për herë të parë do të drejtoni një Kombëtare, cili është dallimi nga drejtimi i një skuadre? – Kam pyetur shumë, duke qenë që është hera e parë. Zgjedhja për të thënë po për Shqipërinë është sepse kjo Kombëtare nuk është si të trajnosh një klub. Ndjenja e përkatësisë është e fortë, për mua kjo është diferenca.

Sa e njihni ekipin tonë Kombëtar dhe a ju kanë folur Edi Reja apo De Biasi për Kombëtaren? – E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre. Kam folur me De Biazin, përveçse është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. E di çfarë ka bërë ai këtu. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj.

A mendoni që Shqipëria ka një bazë të mirë solide për të arritur objektivat që Presidenti tha më parë? – Nëse nuk do ta mendoja, nuk do të isha këtu. Janë mundësitë për të arritur objektivat, nuk do të jetë e thjeshtë, por mund t’ia dalim. Ne kemi mundësi për të bërë më tepër edhe ndaj skuadrave që mund të jenë më të forta në letër, të arrijmë objektivin për të qenë kompetitivë.

A mendoni të provoni lojtarët nga Kombëtarja U-21 dhe kampionati shqiptar? – Sigurisht çdo gjë është e konsideruar, edhe lojtarët e Kombëtares U-21. Në Itali është ndryshe, trajneri momental do të bëjë dy ndeshje miqësore dhe nuk do të jetë më. Janë edhe zgjidhje që bëhen për shkak të një rrugëtimi ndryshe. Ne nisim një rrugëtim të ri drejt arritjes së objektivave. Të jemi të vëmendshëm ndaj çdo lojtari të ri, edhe nga Kombëtarja U-21.

Cila do të jetë filozofia juaj, pasi kur mendojmë për një trajner italian, mendojmë një lojë në mbrojtje? – Kjo trashëgimi që ekziston për trajnerët italianë qëndron, por ajo që thashë pak më herët është se duhet të kemi një qëndrueshmëri totale për ta dominuar ndeshjen, për të qenë më të zotë se kundërshtarët, dhe kjo nuk lidhet vetëm me mbrojtjen. Është e rëndësishme të mbrohesh mirë.

Mendoj se duhet të ketë një ekuilibër. Sigurisht që duhet të vlerësojmë edhe bazën e lojtarëve që kemi në dispozicion. Ajo që unë dua të sjell është një skuadër që luan futboll, por sigurisht që do të ketë momente kur duhet të mbrohemi dhe këtë duhet ta bëjmë si skuadër. Ky është çelësi për të arritur rezultate. Nuk mund të ekzistojë njëra pa tjetrën. Për të arritur rezultate të mira, duhet që këto gjëra të ecin hap pas hapi.

Ëndërr mbetet Botërori. – Kjo është ëndrra ime, ashtu siç është edhe e juaja. Momentalisht, ëndrra ime është ëndrra juaj: të arrij të sjell ato rezultate që të gjithë i dëshirojmë. Nëse jam këtu, do të thotë që kam bindjen se me përkushtim, me një grup të bashkuar dhe me pak fat, kjo gjë mund të arrihet.

Ju vini nga futbolli italian, ku kemi një bazë lojtarësh aktualë, por edhe të perspektivës. Sa i njihni lojtarët? – Ata që luajnë në Itali i njoh të gjithë, me disa jam ndeshur si kundërshtar. Janë lojtarë që i njoh mirë. E përsëris, Shqipëria është një Kombëtare që unë e njoh mirë për sa i përket ndjekjes së ndeshjeve dhe studimit të saj, siç po bëjmë tani. Sigurisht, në vazhdim do të plotësohet njohja përmes stërvitjeve, por edhe duke pasur një raport me ta.

A do të jetoni në Shqipëri si Silvinjo apo nuk e keni marrë ende si vendim? – Sigurisht që do të transferohem këtu. Është gjëja e parë për të cilën kam folur me Presidentin. Nëse dua ta stërvis mirë këtë skuadër, nëse dua të jem pjesë integrale e saj, kam nevojë dhe dëshirë të jetoj këtu. Kjo me siguri do të më mundësojë ta bëj më mirë punën time, të jem më afër realitetit tim, që është realiteti juaj.

Cila është pika e fortë e skuadrës sonë? – Nuk mund të bëj një gjykim të tillë përpara se t’i stërvis lojtarët. Mendoj se është një skuadër që ka lojtarë me karakteristika shumë të mira, por lojtarët duhet të jenë funksionalë për sistemin e lojës.

Një skuadër ndërtohet jo vetëm nga lojtarët cilësorë, por edhe nga lojtarët që sakrifikojnë për grupin. Nuk dua të jap një gjykim të hershëm, nuk dua të gaboj. Ka disa specifika të skuadrës me të cilat mund të punojmë dhe kjo gjë më stimulon. Kam dëshirë t’i shoh dhe t’i stërvis. Jam i bindur që ky mozaik mund të plotësohet shumë mirë.

Vendi i parë në Ligën e Kombeve apo përgatitja për kualifikueset e Euro 2028? – Mendoj se të fitosh të ndihmon të fitosh. Ajo është rruga për të ardhur i përgatitur, për të bërë mirë fillimisht dhe për të bërë mirë edhe më pas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks