Ballina Analiza dhe Komente “Reforma territoriale apo reforma morale”/ Spahia: Dështoi sepse harruan qytetarin!

“Reforma territoriale apo reforma morale”/ Spahia: Dështoi sepse harruan qytetarin!

Nga Bardh Spahia

REFORMA TERRITORIALE APO REFORMA MORALE?

​Takimi i fundit në Shkodër për reformën territoriale nxori në dritë një të vërtetë të madhe që pushteti përpiqet ta fshehë me tabela, fasada, statistika dhe formula teknokratike. Qytetarët janë braktisur! Ndarja e vitit 2014 dështoi sepse i largoi shërbimet nga njerëzit, duke i lënë periferitë dhe fshatrat në harresë të plotë.
​
​Por, tallja me kryeqendrën e Veriut, Shkodrën, shkon edhe më tej. Si mund të flitet për reformë territoriale administrative kur kjo qeveri, me një qasje hakmarrëse, ka bërë çmos për ta zhveshur Shkodrën nga pesha e saj administrative, historike dhe rajonale?
​Drejtori të rëndësishme e historike, nga Arsimi tek Ujitja e Kullimi e deri te Arkivat, shërbimi informativ e gjykatat u transferuan pa asnjë logjikë nga Shkodra për t’u zhvendosur drejt Lezhës, duke detyruar qytetarët dhe specialistët shkodranë të udhëtojnë me kilometra të tëra për një shërbim bazë.
​
Nuk harrohet as deklarata fyese e kryeministrit pak ditë para zgjedhjeve lokale, i cili u tha shkodranëve troç se “po nuk votuat PS-në, nuk keni fonde”. Ky nuk është shtet i të drejtës por një organizatë e mbushur me kusarë që persekuton kë nuk e mbështet apo voton. Fondet publike janë taksat e qytetarëve, nuk janë as portofoli i kryeministrit dhe as sadaka partie për të blerë nënshtrimin e një qyteti që nuk thyhet.
​
​Prandaj, përtej vijave në hartë, ka një të vërtetë edhe më ulëritëse. Ndryshimi real nuk vjen thjesht nga numri i bashkive, por nga njerëzit që ulen në karriget që drejtojnë bashkitë dhe zyrat e shtetit. Sot, më shumë se për harta të reja, qytetet tona kanë etje për ndershmëri.
​Zyrtarë të korruptuar që bashkitë e postet drejtuese i shohin si biznese private dhe pronat publike si trashëgimi partiake apo familiare duhet të pastrohen nga shërbimi civil dhe të përballen me drejtësinë dhe sekuestrimin e pasurive të vëna pa djersë e poshtërsisht.
​Kryebashkiakë dhe administratorë që vijnë në pushtet me vota të blera dhe me paratë e pista të krimit, të cilët detyrimisht punojnë për krimin dhe jo për qytetarin, nuk kanë vend në zyrat e shtetit.

​Nëse në krye të një bashkie qëndron një njeri i pangopur, ajo do të prodhojë vetëm varfëri, braktisje dhe emigrim.

Qytetarët kanë nevojë për drejtues që e duan vendin e tyre, që kujdesen për çdo rrugicë, për çdo shkollë dhe për çdo familje në nevojë.
​Ndryshimi i vërtetë fillon kur në zyrat e shtetit e postet publike të rikthehet dinjiteti, pastërtia morale dhe llogaridhënia.
Duhet të çrrënjosim modelin e pushtetarëve të emëruar nga bandat dhe të kthejmë modelin e shërbëtorëve të ndershëm të njerëzve.
​
Pushteti u përket qytetarëve, jo atyre që duan ta blejnë apo ta marrin peng!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks