KF Vllaznia U-15 e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar me rezultatin 1-3 në transfertë ndaj FK Partizani U-15.
Skuadra kuqeblu, e drejtuar nga trajneri Valdano Nimani, zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në sfidën e fundit të kampionatit, duke dominuar në pjesën më të madhe të takimit dhe duke merituar plotësisht tre pikët.
Për shkodranët realizuan Kruja dhe Kjasi, ky i fundit protagonist me një dopietë, duke vulosur suksesin e rëndësishëm të ekipit. Vendasit arritën të shkurtonin diferencën me vetëm një gol, por pa vënë në diskutim fitoren e Vllaznisë, e cila administroi me qetësi avantazhin deri në vërshëllimën finale.
Falë këtij suksesi, KF Vllaznia Shkodër U-15 e mbyll sezonin mes pesë ekipeve më të mira të kampionatit, duke u renditur në vendin e katërt me 24 pikë, një tregues i qartë i vazhdimësisë dhe paraqitjeve pozitive gjatë gjithë sezonit.






