Ballina Aktualitet Prova në prokurori për 6 vendvarrime të diktaturës Autoriteti i Dosjeve: Të...

Prova në prokurori për 6 vendvarrime të diktaturës Autoriteti i Dosjeve: Të lejohen gërmimet për nxjerrjen e eshtrave

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve të tjera përgjegjëse dokumentacionin dhe provat e mbledhura për gjashtë vendvarrime të dyshuara të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke kërkuar vijimin e procedurave ligjore dhe hetimore në terren. Sipas njoftimit zyrtar, kërkesat janë dërguar pranë prokurorive në rrethe, drejtorive vendore të policisë, komisariateve, bashkive dhe institucioneve të tjera në qarqet Shkodër, Lezhë, Mirditë, Vlorë, Korçë, Kolonjë dhe Himarë. AIDSSH bën të ditur se në këto vende janë evidentuar të dhëna me probabilitet të lartë për praninë e mbetjeve mortore të personave të ekzekutuar ose të zhdukur gjatë diktaturës komuniste. Në dokumentacionin e depozituar pranë organeve të drejtësisë, Autoriteti kërkon shqyrtimin juridik të çështjeve dhe autorizimin për ndërmarrjen e veprimeve procedurale, që lidhen me kryerjen e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara, me qëllim kërkimin, rikuperimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore. Gjithashtu, kërkohet koordinim ndërinstitucional për organizimin dhe ndjekjen e procesit të ndërhyrjeve në terren. Këto veprime vijnë pas një procesi disa-vjeçar hetimi administrativ, mbledhjeje dëshmish nga familjarët e viktimave dhe verifikimesh arkivore të kryera nga AIDSSH. Në këtë proces janë përfshirë edhe ekspertiza jo-invazive të realizuara në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përmes radarëve dhe metodave antropologjike, të cilat kanë evidentuar praninë e mundshme të mbetjeve mortore në disa prej zonave të dyshuara. Sipas Autoritetit, dokumentacioni i administruar përmban të dhëna të arsyeshme mbi praninë e mbetjeve mortore në këto vendvarrime. Ndër vendet e referuara janë varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazit, Sait Kazazit, Gjon Shllakut, Dom Luigj Zojzit dhe personave të tjerë të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953. Po ashtu, në listë përfshihet zona pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë, si dhe zona e Shpalit pranë kishës, ku dyshohet se ndodhen organizatorët e Revoltës së Spaçit të vitit 1973 – Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko. Kërkimet shtrihen edhe në vendvarrimin e dyshuar në Mallkeq, në zonën e Shënvasilit. Për shumë familje shqiptare, kërkimi i të zhdukurve të regjimit komunist mbetet një plagë e hapur prej dekadash, pasi shumë prej viktimave të ekzekutuara ose të vdekura në burgje dhe kampe internimi nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve. Përmes kërkesave të depozituara në organet e drejtësisë, AIDSSH synon avancimin e procesit drejt autorizimit të gërmimeve, identifikimit përmes ADN-së dhe rikthimit të eshtrave pranë familjeve, në përputhje me praktikat ndërkombëtare për personat e zhdukur me forcë. Autoriteti thekson se Shqipëria ka detyrime ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe trajtimin me dinjitet të mbetjeve mortore. Njëkohësisht, u bëhet thirrje institucioneve dhe qytetarëve që disponojnë informacion për vendvarrime të dyshuara të bashkëpunojnë në këtë proces, duke e cilësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve si një detyrim human, ligjor dhe moral për shoqërinë shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks