Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në Fier. Një person rreth të 40-ave, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën teksa dyshohet se po tentonte të vidhte një banesë. Ai ka mbetur i bllokuar në dritare dhe si pasojë ka humbur jetën.
Sipas Nikollaq Lules, vëllai i pronarit të banesës, shtëpia trekatëshe i përket Uan Lules, i cili prej një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij. Ai tregon se fqinji që kujdesej për banesën e ka gjetur të vdekur personin në dritare dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
“Vëllai ka ikur ka një muaj në Greqi, te fëmijët. Ka lënë një komshi këtu që vjen çdo ditë për të ushqyer qenin. Kur kishte ardhur sot në mëngjes kishte gjetur një person në dritare. Kishte lajmëruar policinë dhe vëllain. Ai më mori mua se i kasha çelësat e shtëpisë. Këto xhamat janë të vegjël, ka tentuar të hyjë dhe kishte ngecuar. Në mëngjes zotëria që vjen ushqen qenin e gjeti të vdekur në xham. Nuk kishte as kartë identiteti, nuk është identifikuar akoma” thotë ai.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Fierit, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






