Prej ditës së premte të javës së kaluar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimi jashtë planifikimit, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e ligjit. Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte me aktivitet “trajtim, ambalazhim dhe konservim fruta-perime”, janë konstatuar shkelje të rënda të kushteve higjeno-sanitare dhe mungesë e theksuar e gjurmueshmërisë së produkteve. Për pasojë, janë marrë masa të menjëhershme administrative dhe bllokuese ndaj dy subjekteve.
Në subjektin e parë:
Është vendosur gjobë në vlerën 500,000 lekë, në bazë të Ligjit nr. 9863/2008;
Është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit;
Janë bllokuar mbi 100 ton produkte ushqimore, të destinuara për asgjësim, në zbatim të Ligjit nr. 99/2024.
Në subjektin e dytë:
Është vendosur gjobë në vlerën 100,000 lekë për mungesë gjurmueshmërie, në bazë të Ligjit nr. 9863/2008;
Është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit dhe bllokimi i produkteve, në zbatim të Ligjit nr. 99/2024.
Ky aksion synon të godasë çdo shkelje që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve, duke garantuar standarde të larta në përpunimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore. Autoritetet bëjnë thirrje për të gjithë operatorët ekonomikë që të respektojnë me rigorozitet kërkesat ligjore, pasi kontrollet do të vijojnë në mënyrë intensive dhe të pandërprerë.






