Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu patën një bashkëbisedim me mësuesit e Shkodrës për prioritetet e përbashkëta në rritjen e cilësisë arsimore dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare përmes rritjes së pagave dhe zhvillimit profesinal.
“Falë rritjes ekonomike, janë rritur edhe pagat edhe investimet. Rroga mesatare 950 euro për një mësues sot, nuk krahasohet me 5-6 vite më parë, pasi ka rritur standardet, por dhe ambiciet tona, ndërkohë që nga janari ka nisur indeksimi i pagave prej 2.5% që është përkthyer në një rritje edhe për mësuesit. Por motivimi është i rëndësishëm, sepse nuk mund të punojmë mirë nëse nuk kemi kushte të mira fizike, por edhe estetike, që mësimi të jetë kënaqësi. Dhe profesione si ky i mësuesit nuk mund të realizohen bukur nëse nuk është edhe kënaqësi, pasion e dashni. Dhe ju shkodranët e keni të shkruajtur në AND-në e qytetit dhe brezave”.“Nuk e kërkon individi, as ministri, është një detyrim që e kërkon ligji. Profesioni i mësuesit është profesion i rregulluar që kërkon licensim për ushtrimin e tij. Kjo krijon standard, garanci, por hap edhe rrugën për të hyrë në karrierën e kualifikimeve të mësuesit”, tha Kumbaro. Ajo njoftoi edhe vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për dyfishimin e pagesës për orët e programit pas shkollor duke ftuar gjithë mësuesit dhe artizanët e Shkodrës të japin kontributin e tyre.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu foli për investimet e qeverisë shqiptare në motivimin e personelve mësdhminësve jo vetëm përmes pagave, por edhe mbështetjes me figura të reja në sistemin arsimor që lehtësojnë punën e tyre.
“Nuk mund të flasim për kapitalin njerëzor pa kthyer sytë nga arsimi dhe pa parë transformimin e jashtëzakonshëm që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, pavarësisht sfidave të shumta dhe ndryshimeve strukturore që kanë kërkuar një punë të madhe”. “Me vizionin e qeverisë shqiptare, kemi ndërhyrë në mënyrë të thellë dhe transformuese, jo vetëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në infrastrukturën e shkollave, por mbi të gjitha në kapitalin njerëzor – mësuesit që punojnë çdo ditë me përkushtim për edukimin e fëmijëve tanë”, shtoi ajo.
Zëvendëskryeministrja nënvizoi edhe largimin e politikës nga arsimi.
“Sot kemi larguar politikën nga shkollat. Mësuesit përzgjidhen përmes platformës ‘Mësues për Shqipërinë’, një proces plotësisht transparent dhe meritokratik, që garanton mundësi punësimi mbi bazën e meritës dhe jo të njohjeve”, tha Koçiu.
Duke u ndalur te siguria në shkolla, Koçiu e cilësoi atë si një prioritet kyç. Sipas saj, projekti SMART City do të zbatohet paralelisht me programin e oficerëve të sigurisë në shkolla.






