Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, ka bërë publike të dhënat më të fundit mbi vizitat në institucionet kulturore në vend, duke theksuar një rritje të ndjeshme të interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Sipas tij, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, plot 92,918 vizitorë vendas dhe të huaj kanë frekuentuar muzetë, parqet arkeologjike dhe monumentet kulturore në Shqipëri, duke shënuar një rritje prej 81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Nga këta, 39,338 vizitorë janë regjistruar në muzetë kombëtarë, ndërsa 53,580 në parqet arkeologjike, kala dhe monumente kulture, duke reflektuar një interes në rritje për historinë dhe identitetin kombëtar.
Ndër sitet më të vizituara renditen:
- Kalaja e Shkodrës, pjesë e parkut arkeologjik, me 16,309 vizitorë
- Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me 14,924 vizitorë
- Kalaja e Gjirokastrës, me 13,460 vizitorë
- Parku Kombëtar i Butrintit, me 9,160 vizitorë
- Shtëpia me Gjethe, me 8,957 vizitorë
Këto shifra dëshmojnë për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit kulturor në Shqipëri dhe rritjen e atraktivitetit të destinacioneve historike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.






