Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi aktivitetin “Dita e Dyerve të Hapura”, një nismë që synon të orientojë maturantët drejt zgjedhjeve të tyre akademike dhe t’i njohë më nga afër me jetën universitare. Maturantët izituan ambientet e universitetit, u njohën me programet e studimit dhe zhvilluan biseda të drejtpërdrejta me pedagogë dhe studentë të UNISHK.
Gjatë fjalës së tij, rektori Tonin Gjuraj theksoi rëndësinë e kësaj dite si një moment kyç për të rinjtë, duke e cilësuar atë si një pikëtakim mes ëndrrave dhe vendimeve që formësojnë të ardhmen. Ai nënvizoi se universiteti është më shumë se një institucion arsimor, duke e përkufizuar si një hapësirë ku idetë zhvillohen dhe ambiciet marrin formë. Në vijim të aktivitetit, përshëndetën edhe Teuta Qyteza, nënkryetare e Bashkisë Shkodër, si dhe Brisela Kadija, drejtoreshë e ZVA Shkodër, të cilat përcollën mesazhe inkurajuese për maturantët dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të arsimit cilësor. Aktiviteti u zhvillua paralelisht edhe në disa prej njësive kryesore akademike, përfshirë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Shkencave të Edukimit.
“Dita e Dyerve të Hapura” përbën një risi për Universitetin e Shkodrës dhe synohet të kthehet në një traditë të përvitshme, duke ndërtuar një urë të qëndrueshme komunikimi mes institucionit dhe brezit të ri të studentëve.






