Ballina Politike Një vit nga vendoret e 2027-es, PS nis ‘fushatën’ në terren! Takime...

Një vit nga vendoret e 2027-es, PS nis ‘fushatën’ në terren! Takime intensive në qarqe, veriu në dorë të 3 drejtuesve të rinj politikë

Edi Rama i ka shpërndarë të tijët që tani në terren, edhe pse zgjedhjet vendore të 2027-ës janë më shumë se një vit larg. Nën sloganin “Punët për Shqipërinë” drejtuesit politikë të qarqeve kanë nisur takimet me strukturat e Partisë Socialistë në zonat që drejtojnë.

Më të sfiduarit duket të jenë të rinjtë, ata që për herë të parë marrin drejtimin elektoral të një qarku. Erion Malaj, deputet me mandatin e tij të parë, të cilit i është besuar drejtimi i qarkut të Kukësit i ka nisur takimet për riorganizimin e degëve nga Kukësi, për të vijuar me Tropojën e Hasin me qëllimin kryesor për përgatitjen e një tjetër fitoreje siç kujdeset të theksojë në postimet e tij.

Me një detyrë të re, përveç asaj si ministër i mbrojtjes, është edhe Ermal Nufi. Ai do të drejtojë një prej qarqeve kryesore në veriun e vendit, Lezhën, duke u sprovuar për herë të parë në terren. Takimet i nisi me Lezhën për të vijuar në të gjitha bashkitë e qarkut.Edhe Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës që do të drejtojë kryeqendrën e veriut, qarkun e Shkodrës, ka zhvilluar mbledhje me asambletë e PS-së në Shkodër Fushë-Arrëz, Pukë e Vaun e Dejës.

Ndërsa dy prej figurave kryesore të partisë socialiste, kryetari Rama u besoi qarqet me peshën më të madhe elektorale. Taulant Balla ka nisur takimet intensive në të gjithë qarkun e Tiranës me përforcime të shtuara në të gjitha njësitë e kryeqytetit, deputetë e ministra që do të mbështesin këtë fazë përgatitore për zgjedhjet e 2027-ës.

Ndërsa Blendi Klosi rikthehet në Durrës pas një dekade me eksperiencat në Berat, Dibër dhe Vlorë.

Për Ulsi Manjën, rikthimi në Dibër në një terren tashmë të njohur për të nuk është i vështirë. Ndërsa për 6 drejtuesit e tjerë politikë të cilët nuk i kapi “lapsi” i kryetarit vijojnë punën të pa shqetësuar në qarqet e tyre.
Belinda Balluku tashmë pa asnjë post qeveritar të gjitha energjitë i ka përqendruar me takime në qarkun e Fierit.

Ervin Demo dhe Arbjan Mazniku përkatësisht në Berat dhe Elbasan duke vijuar me riorganizimin e bredshëm, ndërsa më veteranët e PS-së ruajnë status quo-në. Niko Peleshi me takime të shpeshta në Korçë, Bledi Çuçi në Vlorë dhe Mirela Kumbaro në Gjirokastër.

Riorganizimi i brendshëm i PS-së do të vijojë deri më 30 qershor që me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave socialiste deri në ristrukturimin e sekretariateve./report

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks