Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar në përkujtim të 2 Prillit, duke akuzuar qeverinë dhe përfaqësues të saj për përdhosje të kujtimit të viktimave të asaj dite.
Në një reagim në rrjete sociale, Spahia thekson se kujtimi i Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka nuk duhet parë thjesht si një datë përkujtimore, por si një “aktakuzë e gjallë” ndaj atyre që, sipas tij, kanë deformuar idealet për të cilat ata ranë.
*Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia*:
Sot, kujtimi i Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës nuk është thjesht një datë në kalendarin e dhimbjes kombëtare, por një aktakuzë e gjallë kundër atyre që lirinë e fituar me gjak e kanë kthyer në mall tregtie.
Është kulmi i cinizmit dhe paftyrësisë që Taulant Balla dhe pasardhësit politikë të asaj vrasëseje, PPSH, sot të maskuar nën petkun e PS, guxojnë të flasin për demokraci mbi varret e atyre që vetë i ekzekutuan. Ata që dje shtypën revoltën paqësore me plumba, sot shtypin vullnetin e popullit me para të pista dhe presion kriminal.
Nuk ka fyerje më të rëndë për kujtimin e dëshmorëve sesa të shohësh simbolet e vjedhjes së zgjedhjeve të pozojnë si “gardianë të shtetit”.
Ata protestuan për votën e lirë, ju e blini atë me thasët e krimit.
Ata ranë për pluralizmin, ju po instaloni një monizëm të ri arrogant.
Ata dhanë jetën për Shqipërinë europiane, ju po e zbrazni vendin duke e kthyer në pronë private të një sekti.
Por Shkodra Nuk Harron!
Shkodra, djepi i qëndresës, mbetet dëshmitarja e përjetshme e kësaj tradhtie. Çdo tentativë për të diktuar vullnetin përmes strukturave të korruptuara është një plumb tjetër mbi idealet e 2 prillit.
Dëshmorët e Shkodrës nuk ranë që Shqipëria të kalonte nga prangat e diktaturës në darën e pushtetit të bërë një me krim të organizuar. Lavdi përjetë dëshmorëve, turp atyre që shkelin mbi sakrificën e tyre!






