Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, janë bërë të ditura edhe vendimet e miratuara. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Andrea Shllaku, zëvendësministër i Mbrojtjes, është liruar nga kjo detyrë.
Ndërkohë, Pranvera Skana është emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes.
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Prill 2026:
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Pranvera Skana emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Pranvera Skana – Profili Profesional
Pranvera Skana ka lindur në Rrëshen, Mirditë, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Më pas, ajo vijoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit.
Ajo ka përfituar dy bursa prestigjioze për lidership akademik në Londër, duke thelluar studimet e saj në fushën e komunikimit.
Ka ndjekur studimet master në University of Westminster dhe ka qenë kërkuese shkencore (Visiting Fellow) në London School of Economics.
Që prej vitit 2014, Skana mban titullin Doktor në Shkencat e Komunikimit.
Ajo është një eksperte e njohur në fushën e medias dhe komunikimit, me një profil aktiv në media, duke trajtuar tema mbi emigracionin, zhvillimet politike në Britani, çështjet sociale, barazinë gjinore, të rinjtë, sistemin arsimor dhe ndikimin e rrjeteve sociale.
Gjatë mandatit të saj si diplomate në Ambasadën Shqiptare në Londër (2016-2019), Skana u angazhua në aktivitete të shumta për diplomacinë publike dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ku spikat veçanërisht seria e eventeve “Një mik për Shqipërinë”.
Ajo ka kontribuar ndjeshëm në krijimin dhe aktivizimin e rrjetit të grave shqiptare në Britani, si dhe në promovimin e rrjetit të studentëve dhe profesionistëve shqiptarë atje.
Me një angazhim të vazhdueshëm dhe një zë të spikatur në media, Pranvera Skana është një përfaqësuese dinjitoze e komunitetit shqiptar dhe një promovuese e denjë e krahinës së saj në çdo dalje publike.






