Deputeti demokrat Bardh Spahia ka reaguar mbi situaten e rende ne sektorin e shendetesise dhe skandalin me analizat e pacienteve. Ne cilesine edhe te kreut te komisionit te shendetesise, ai shkruan:
Statusi plote:
KORRUPSION MBI JETËN: NJË KRIM I HESHTUR NË DYERT E QSUT-SË
Lajmi se në QSUT nuk do kryhen më analiza nga data 20 Prill për mungesë fondesh, është dëshmia ulëritëse e një babëzie që ka humbur çdo cipë njerëzore.
Si qytetar i këtij vendi, ndjej një pështirosje të thellë për këtë paftyrësi institucionale që po u merr frymën të pamundurve.
Ndërsa taksat tona rrjedhin lumë drejt llogarive të dyshimta, drejt luksit të zyrave dhe tenderave që fryhen çdo ditë, shqiptarët e ndershëm, fëmijët dhe të sëmurët kronikë kthehen mbrapsht nga laboratorët e shtetit.
Kjo është kriminale.
Si mund të flini të qetë kur dini që një pacient në nevojë nuk bën dot një analizë bazë se ju keni “prioritete” të tjera? Prioriteti juaj i vetëm është xhepi, ndërsa jeta e qytetarit për ju vlen më pak se boja e shkrimit në kontratat tuaja korruptive.
“Mbledhja e të dhënave”, siç shprehet ministria Sala, është tallja e radhës. Të dhënat janë në korridoret e spitalit, në sytë e përlotur të familjarëve që nuk kanë para për spitalet private ku ju i detyroni të shkojnë.
Një qeveri që nuk garanton dot as shëndetin më bazik, ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur. Ky korrupsion ekstrem nuk po na vjedh vetëm paratë, po na vjedh jetën, dinjitetin dhe të ardhmen.
Deri kur do të lejojmë që babëzia e disave të paguhet me jetët e të gjithëve?






