Ballina Politike A duhet të kandidojë Salianji për kryetar partie? Tabaku: PD nuk ka...

A duhet të kandidojë Salianji për kryetar partie? Tabaku: PD nuk ka luksin të humbasë askënd, duhet të vendosë vota

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në një takim me të rinjtë në Shkodër, ka komentuar dhe betejën e hapur politike që po zhvillohet në sy të mediave mes kryetarit të partisë Sali Berisha dhe ish-deputetit Ervin Salianji, një debat që tashmë është intensifikuar me afrimin dhe kandidimin e këtij të fundit në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar. Duke pasur parasysh të gjitha problematikat ndër vite të partisë, një PD e dëmtuar në kohë nga debatet mes llojit që kryesisht janë zhvilluar në sy të publikut, Tabaku thotë se kjo është kthyer në shqetësim. Deputetja tha se Salianji duhet të lejohet të kandidojë përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kryetarin e PD, duke shtuar se partia nuk ka luksin për të humbur askënd, duke ftuar Salianjin të heqë dorë nga diskutimet publike dhe të bëhet pjesë e tryezave të brendshme të partisë.

“E kam ndjekur në media diskutimin e zotit Salianji dhe kërkesa ime për të është që betejën ta bëjë në PD, boll ka vuajtur PD këto vite për betejë të bërë në studiot televizive. Nuk ka rëndësi ku jam unë apo Salianji nesër, por ku do të jetë PD dhe demokratët. Për mua ky debat duhet të bëhet brenda PD, kur bëhet jashtë është shqetësuese. Nuk e shoh te PS përshembull të ndodhë jashtë. Kemi boll forume për të folur. Gabimi që bëra në 3 vite të shkuara nuk do ta bëj sot, nuk kam për të dhënë mendime që kam për t’i dhënë në forumet e partisë. Nuk di të ketë një vendim të Kryesisë për t’i mbyllur dyert. Lë t’i lëmë kohë institucioneve dhe debatit të brendshëm që të marrë vendimin e duhur. Për mua PD nuk ka luksin të humbë askënd, ne duhet të shtohemi e zgjerohemi, t’ia shtrijmë dorën kujtdo. Në një parti politike vendos vota”, tha Jorida Tabaku.

Ervin Salianji u konsiderua nga Berisha si i “vetëpërjashtuar”, pasi disa kohë më parë i doli kundër partisë dhe strategjisë për tu vetëkorrigjuar nga humbjet e njëpasnjëshme. Në këtë moment, Salianji nisi takimet veçmas PD me qytetarët nëpër Shqipëri. Përplasjet kanë qenë të ashpra dhe me sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, duke shkëmbyer akuza për bashkëpunim me grupet kriminale. Ndërkohë së fundmi me firmë të Flamur Nokës, janë përjashtuar nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, pas mbështetjes që i dhanë Ervin Salianjit. Ndërkohë në vendim e marrë nga PD, përjashtimi i tyre argumentohet se Boshku dhe Burgia i kanë shërbyer Partisë Socialiste në kohën e fushatës zgjedhore në parlamentaret e 11 majit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks