Në prapaskenat e politikës shqiptare, lëvizjet nuk janë kurrë rastësore, dhe kur bëhet fjalë për Edi Ramën, çdo heshtje shpesh flet më shumë se një deklaratë publike. E çdo lëvizje ka llogaritë brenda saj, të cilat nuk lihen për minutën e fundit. Duket se këtë gjë, me së miri edhe njëherë tjetër, Rama e tregoi më Asamblenë Socialiste të këtij 21 Marsi. Largimi i Benet Becit nga drejtimi politik i qarkut Shkodër, a është nga Edi Rama një përgatitje e pastër për fundin politik të Benet Becit?
Situata për kryebashkiakun Benet Beci është bërë e ndërlikuar. Ai ndodhet përballë drejtësisë, me çështjen në SPAK që ka kaluar në gjykim, ku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte KESH. Edhe pse drejtësia ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar, pesha politike e kësaj çështjeje është e pamohueshme. Në politikë, perceptimi shpesh është po aq i rëndësishëm sa edhe e vërteta ligjore.
Në këtë klimë, heshtja e Ramës nuk duket neutrale. Kryeministri ka treguar në të kaluarën se di të shkëputet shpejt nga figura që kthehen në barrë politike. Dhe me zgjedhjet vendore të vitit 2027 në horizont, çdo lëvizje fillon të marrë kuptim strategjik.
A është duke u përgatitur një zëvendësim?
Emërimi i shkodranit Enea Karakaçi si drejtues politik nuk është rastesor. Ai mban sot një prej portofoleve më të rëndësishme ministrore në kabinetin qeveritar, atë të ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës. Me vendosjen e tij, Rama dhe socialistët po përgatisin terrenin, që struktura të jetë gati dhe çdo lëvizje të kryhet në kohë. Thënë ndryshe, një denim i mundshëm i GJKKO ndaj Becit, me këtë lëvizje Partia Socialiste po përpiqet të minimizojë dëmin dhe të rifreskojë imazhin përpara një beteje të rëndësishme elektorale siç është 2027-ta.
Për Benet Becin, ora politike duket se ka nisur numërimin mbrapsht, e tashmë PS Shkodër do të duhet të gjejë ritmin e duhur për të krijuar shkëputjen e shpejtë me kryebashkiakun në detyrë, që deri më sot ka vepruar si i plotëfuqishëm, pa pyetur për meritokraci dhe kontribute.






