Ballina Politike Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, rezoluta e PS miratohet me...

Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, rezoluta e PS miratohet me 79 vota pro! PD nuk merr pjesë në seancë

Shqipëria bëhet vendi i dytë në botë pas SHBA-së që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit. Me 79 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga PS në të cilën thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon qeverisë që të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Gardën Revolucionare të Irani, dy prej organizatave me famëkeqe të regjimit iranian.

” I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste. Të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.”, thuhet në rezolutë.Rezoluta dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Partia Demokratike e cila mungoi në seancë, me argumentin se nuk kishte rend dite të miratuar zyrtarisht, menjëherë pas miratimit të rezolutës doli me një deklaratë politike.

“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob”, thuhet në deklaratë.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës, duke thënë se nuk qëndruan krah SHBA dhe BE-së në një moment solemn, por zgjodhën interesin e javës për një protestë pa krye, të thirrur më 22 mars.

“Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që nuk ditën që në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA, BE, dhe plot vende të tjera, përkrah Britanisë, nuk dolën sot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye”, thuhet në deklaratë.

Të vetmit opozitarë në sallë ishin Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë, i cili abstenoi, dhe Erald Kapri i Partisë Mundësia, i cili pavarësisht kritikave bashkoi votat me PS për miratimin e rezolutës.

“Ne e kemi denoncuar represionin e shtetit Iranian, por që të jemi seriozë do duhej që para se të paraqisnit këtë rezolutë, duhej të kishit miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj Kosovës”, tha Redi Muçi.

“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore e do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë për t’i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të ndodhë së shpejti”, tha Kapri.

Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks