Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK. Kërkesa mori 47 pro, 0 abstenim, 82 kundër.
Deputetët e opozitës protestuan duke bllokuar foltoren e Kuvendit, ndërsa socialistët votuan projektligjet e rendit të ditës me procedurë të përshpejtuar, pa diskutime.
Newspower.al mëson se në 82 votat kundër raportit, përfshihen edhe ato të 3 deputetëve të Partisë Social Demokrate. Ndërkohë, në sallë mungonin 4 deputetë socialistë, Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhja dhe vetë Balluku.
Relatori i raportit të PS në Këshillin e Mandateve, Ulsi Manja, në fjalën e tij në Kuvend gjatë seancës, e arsyetoi kështu vendimin për të mos pranuar kërkesën e SPAK.
“Kjo është kërkesa e 7 e organit të akuzës që vjen në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e një anëtari të Parlamentit, për kontroll personal apo të banesës. Në momentin që e paraqitëm raportin tonë ka ndodhur një realitet i ri faktik dhe institucional. Një realitet i ri që e ndryshon tërësisht natyrën e vlerësimit të kërkesës së SPAK-ut: deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik dhe raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal”, tha Manja. Sipas tij, “një çështje që është e drejtësisë dhe duhej të mbetej e drejtësisë, është shndërruar sot në mënyrë të padrejtë në një gjyq publik në sytë e qytetarëve”.
Ndërsa relatori i demokratëve, Oerd Bylykbashi theksoi se deputetët duhet të japin autorizimin për masën e sigurisë ndaj zonjës Balluku në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku ajo dyshohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
“Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar me relacionin dhe provat përkatëse, është shqyrtuar nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026. Pesë anëtarë të pakicës parlamentare, pas analizimit të çështjes, rekomanduan që deputetët të votojnë pro dhënies së autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurisë aktuale me ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike të deputetes Balluku”, deklaroi Bylykbashi.
Sipas tij referuar “nenit 73 të Kushtetutës dhe qëndrimeve të Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar nuk është privilegj personal, por mbron veprimtarinë normale të Kuvendit. Ai mund të hiqet kur nuk ka dyshim se akuza është e motivuar politikisht. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 synuan të forcojnë përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë dhe të afronin standardet e imunitetit parlamentar me ato të qytetarit të zakonshëm, duke garantuar barazinë para ligjit”.






