Ballina Aktualitet OPOZITA NË SHESH/ Snajperë dhe autoblinda te Kryeministria, forca të shumta policie...

OPOZITA NË SHESH/ Snajperë dhe autoblinda te Kryeministria, forca të shumta policie rrethojnë institucionet

Screenshot

Opozita do të zbresë sërish në rrugë pasditen e kësaj të shtune, në orën 18:00.

Në fokus të tubimit mbeten skandalet e qeverisë, të lidhura me një sërë hetimesh të ngritura nga SPAK.

MASAT E POLICISË

Pak minuta para nisjes së protestës së thirrur nga opozita, situata para Kryeministrisë paraqitet jo problematike, ndërkohë janë ndërmarrë masa të forta sigurie nga Policia e Shtetit. Dhjetëra mbështetës të Partisë Demokratike janë grumbulluar në selinë blu, ndërkohë që forcat policore kanë nisur pozicionimin në zonën qendrore të Tiranës.

Sipas burimeve, janë qindra efektivë policie, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje, me fokus të veçantë sigurinë e godinës së qeverisë, e cila është blinduar.

Policia ka marrë masa shtesë për skenarë të mundshëm dhune, përfshirë hedhjen e mjeteve piroteknike, ndërsa në tarracën e Kryeministrisë raportohet se janë vendosur snajperë.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Do të ketë edhe disa autobotë me ujë që do të qëndrojnë pas Kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë.

Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

MESAZHET E OPOZITËS

Demokratët, gjatë së premtes, kanë zhvilluar mbledhjet e fundit, ku kanë përcaktuar edhe formën e organizimit të kësaj proteste.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, në daljet e fundit për mediat, Berisha ka paralajmëruar masivitet në këtë tubim.

Berisha ka bërë thirrje për mënyra të reja të protestës, duke thënë se opozita do të përdorë forma të ndryshme reagimi dhe se “asgjë nuk përjashtohet”, edhe pse thekson se synohet që gjithçka të jetë paqësore.

Edhe përfaqësues të tjerë të opozitës deklarojnë se këto protesta janë një lëvizje për të sjellë ndryshim dhe për të sfiduar atë që e cilësojnë si “kapje të shtetit” dhe mungesë të llogaridhënies.

LËVIZJET NË QEVERI

Protesta e demokratëve vjen tre ditë pasi kryeministri Edi Rama bëri ndryshime në qeveri, duke larguar Belinda Ballukun dhe dy ministra të tjerë, ndërsa lëvizjet prekën gjithsej gjashtë poste qeveritare.

Kjo është protesta e katërt e opozitës për këtë vit, ku kërkesa mbetet e njëjtë: largimi i Edi Ramës dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike, e cila do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

REAGIMET NDËRKOMBËTARE

Ambasadat e huaja në Tiranë kanë bërë disa herë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes dhe kanë paralajmëruar mbi mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe bllokimeve gjatë protestave.

Po ashtu, mediat e huaja kanë raportuar vazhdimisht protestat, duke theksuar detaje të ndryshme nga ky zhvillim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks