Rritje page për 720 efektivë të strukturave speciale, Koçiu: Mbështetje konkrete, për ata në vijën e parë kundër krimit

 

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu njoftoi një rritje tjetër page për rreth 720 efektivë të strukturave speciale, që ndodhen në vijën e parë të përballjes me krimin e organizuar dhe individët me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Rritja prek tre strukturat e posaçme të Policia e Shtetit: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë (ish-FNSH) dhe Forcën e Posaçme Operacionale.

Konkretisht, për forcat speciale RENEA paga rritet me 250 mijë lekë (rreth 250 euro), ose 20% më shumë. Për Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale, paga rritet me 140 mijë lekë, ose rreth 14%.

Pas kësaj rritjeje, paga e një inspektori në RENEA shkon në pothuajse 1.600 euro, ndërsa për një drejtues arrin në rreth 2.300 euro. Në Forcën Operacionale, paga për gradën inspektor shkon rreth 1.200 euro, ndërsa për gradën kryekomisar varion nga 1.600 deri në 1.700 euro. Efekti financiar i kësaj rritjeje është parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit.

Ministrja Koçiu theksoi se kjo është një shprehje konkrete e mirënjohjes ndaj atyre që rrezikojnë jetën çdo ditë, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Ajo rikujtoi gjithashtu se në fillim të vitit, i gjithë aparati i Policisë së Shtetit dhe Garda e Republikës përfituan një rritje të ndjeshme page, duke nënvizuar se mbështetja ndaj forcave të rendit nuk është çështje fjalësh, por angazhim i vazhdueshëm me masa konkrete.

Latest articles

Related articles

spot_img
Enable Notifications OK No thanks