Situata e emergjencave civile në territorin e Qarkut Shkodër vijon të jetë përgjithësisht e qëndrueshme dhe me tendencë përmirësimi. Sipas të dhënave të raportuara nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, niveli i ujërave ka pësuar rënie graduale, ndërsa nuk raportohen problematika serioze.
Në Bashkia Shkodër situata është stabilizuar, me një ulje të lehtë të nivelit të ujit. Në zonën e Obotit vazhdon të ketë prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, por me tendencë rënieje. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore mbetet i mbuluar nga rreth 40–45 cm ujë. Në zonë janë vendosur mjete me kalueshmëri të lartë për të ndërhyrë në rast nevoje. Deri më tani nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është regjistruar në 7.90 metra, ndërsa niveli i Lumi Drin është 7.70 metra, me tendencë rënieje krahasuar me orët e mëparshme. Nuk raportohen probleme në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse apo digës së rezervuarit të Shtodrit.
Në aksin Bogë–Theth reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar e zgjeruar deri në zonën e Qafë Thores, pranë tunelit të parë. Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme.
Ndërkohë, situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll edhe në Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz, ku nuk raportohen situata emergjente.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e vazhdueshëm në terren, në bashkëpunim me të gjitha strukturat përgjegjëse.






