Me moton “Drejtësi, jo politikë”, mijëra qytetarë janë bashkuar në një manifestim masiv në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë.
Pjesë e marshimit janë edhe Presidentja Vjosa Osmani, Ali Ahmeti, Taulant Balla, dhe figura të tjera nga forca të ndryshme politike në Kosovë e Shqipëri.
Kryetarja e shtetit të Kosovës është shfaqur përkrah të birit të Hashim Thaçit, Endrit Thaçi ndërsa shumë qytetarë mbajnë në duar pankarta me mbishkrimet: “Historia nuk mund të rishkruhet”, apo “Liri në emër të popullit”.
Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në manifestim, duke shprehur keqardhjen përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte. Të gjithë ish-drejtuesit i kanë mohuar të gjitha këto akuza.
Manifestimi i sotshëm zhvillohet në një datë të shënuar për Kosovën, kur vendi feston 18-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.






