Prefektura e Qarkut Shkodër informon qytetarët mbi situatën aktuale në territorin e Shkodrës dhe njësitë përreth, si pasojë e reshjeve intensive dhe rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas njoftimit të Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), pas monitorimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit të situatës hidrologjike, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Që prej orëve të pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe e Liqeni i Shkodrës.

Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente. Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, çka vështirëson kalimin e mjeteve të vogla.

Në terren janë angazhuar 2 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët ndodhen në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.

Situata në akset rrugore malore:

  • Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
  • Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra; qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.

Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim dhe siguri për qytetarët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu