Kryesocialisti Edi Rama mblodhi sot Grupin Parlamentar, ku u prezantuan ndryshimet e propozuara ligjore, përmes së cilave synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese. Ndryshimet ligjore mbajnë firmën e Edi Ramës, kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Në fjalën e tij para grupit parlamentar, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se ekziston një boshllëk ligjor që, sipas tij, nuk u adresua në frymën e Kushtetutës dhe të modelit demokratik të ndarjes së pushteteve.
Ai theksoi se pezullimi i një anëtari të kabinetit qeveritar nga një prokuror apo gjyqtar në një seancë paraprake, pa nisur ende gjyqi, është i papranueshëm, pasi, sipas tij, nuk cenon thjesht personin, por funksionin që ai ushtron.
Edi Rama: Ka një boshllëk. Mendoj se është në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim bazuar në frymën e kushtetutës dhe bazuar në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve. Faktikisht, ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezullimin nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pa filluar gjyqi, për një anëtar të kabinetit qeveritar është fakti se pezullimi nuk cenon personin. Pezullimi cenon funksionin. Kaq duhet të mjaftonte për ta mbyllur këtë debat absurd dhe për të mos u hedhur 100 veta pas një budallai që hedh një gur në lumë.
Rama deklaroi se nuk ekziston asnjë rast në botë ku një anëtar qeverie të jetë pezulluar nga detyra me një vendim të tillë, duke e cilësuar situatën si të pajustifikueshme.
Sipas tij, kjo nismë nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit, por synon të qartësojë kufijtë kushtetues të kompetencave.
Edi Rama: Nuk ekziston asnjë rast në botë që të jetë pezulluar një anëtar qeverie nga një prokuror apo gjykatës, nuk ka ndodhur që të jetë pezulluar një anëtar kabineti për t’i dhënë drejtim këtij procesi. Në vend që të merret një vendim i bazuar në arsyet kushtetuese, merret një vendim i bazuar në arsyet politike. Këtu dua të theksoj që nuk është vetëm në Shqipëri. Ne kemi anëtarë të GJK që nuk kanë dhënë kurrë një vendim të vetëm që të jetë në anën e qeverisë. Vijmë te mosvendimi. Mosvendimi bën që çdonjëra nga ato figura që u përmendën në relacion të jetë vulnerabël ndaj pezullimit. Kufiri ndarës mes pushteteve të jetë si ato gardhet ku hyjnë dhe dalin qentë dhe minjtë. Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Kjo nuk ka lidhje me asnjë cenim të të drejtave që i jep pushtetit gjyqësor pavarësia që i kemi dhënë ne me vullnetin tonë.






