Kalaja e Rozafës në Shkodër do t’i nënshtrohet një sërë ndërhyrjesh që synojnë rivitalizimin dhe rritjen e potencialit të turizmit kulturor.
Një procedurë e hapur në sistemin e prokurimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u bën thirrje operatorëve ekonomikë të interesuar të shprehin interesin për pjesëmarrje në projekt.
Nisma është pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism – Enabling Programme”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve të investimit në një vlerë totale prej 40 milionë eurosh, si dhe nga një kredi sovrane plotësuese e ofruar nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë.
Ndërhyrjet në Kalanë e Rozafës
Sipas përshkrimit projekti do të zhvillohet në Kalanë e Rozafës, monument kulture nën administrimin e Bashkisë Shkodër. Pozicioni gjeografik dhe kushtet natyrore të territorit i japin zonës një klimë tipike mesdhetare, faktor që rrit potencialin për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
Projekti “Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes ndërhyrjeve në Kalanë e Rozafës në Shkodër” përfshin:
– Restaurimin e shtegut jashtë kalasë;
– Restaurimin e muzeut të kalasë dhe fasadës së godinës, rikualifikimin e Oborrit nr. 4, rehabilitimin e shërbimeve sanitare ekzistuese (pjesë e strukturës bar-kafe) dhe rikonstruksionin e linjës së furnizimit me ujë sipas rrjetit ekzistues;
– Krijimin e një hapësire rekreative në Oborrin nr. 2, të përshtatshme për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike;
– Ndërhyrje për përmirësimin e ndriçimit në zonën e brendshme të kalasë, përfshirë rrjetin ekzistues;
– Restaurimin e dy pikave panoramike brenda territorit të kalasë dhe ndërhyrje konsoliduese në muret hyrëse;
– Zgjerimin e hapësirës së parkimit për autobusë dhe furgonë, si dhe ndërtimin e ambienteve të reja sanitare në zonën e parkimit, në rrëzë të kodrës së kalasë, në lagjen Pazar;
– Ndërhyrje në dizajnin urban, përfshirë vendosjen e stolave, koshave të mbeturinave dhe sinjalistikës turistike brenda territorit të kalasë.
Programi më i gjerë
Projekti “Infrastruktura dhe Turizmi në Shqipëri” po zbatohet në disa rajone të vendit me synim rritjen e potencialit turistik, duke u fokusuar në përmirësimin e aksesit, infrastrukturës dhe evidentimin e aseteve natyrore e kulturore.
Më herët, Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi për ndërhyrje në fshatrat e Korçës në funksion të turizmit të aventurës. Projekte të tjera përfshijnë ndërhyrje në rrugët turistike të Velipojës, përmirësimin e infrastrukturës dhe transportit në Bogë, investime në Parkun Kombëtar të Tomorit, si dhe përmirësimin e infrastrukturës, aksesit dhe mobilitetit në zonën e Labërisë.
Programi synon të forcojë rolin e turizmit si një motor i rritjes ekonomike, duke integruar investimet infrastrukturore me zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve.






