Në mjediset e Grand Hotel Europa Shkodër u mbajt takimi trepalësh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant, Arben Kingji kryeson takimin së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Takimi ka në fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.
“Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, u shpreh gjenerallejtënant Kingji në një postim në rrjetet sociale ku solli momente nga takimi.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në këtë mënyrë po konkretizojnë në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakordësuan kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.
Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.
Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.






